Paralajmërim për administratorët dhe maturantët: Sanksione për çdo shkelje
- 22 hours ago
- 2 min read
Përgatitjet për Maturën Shtetërore 2026 kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa Ministria e Arsimit ka paralajmëruar masa më të ashpra për garantimin e një procesi të rregullt dhe transparent në të gjithë vendin.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi se këtë vit janë përgatitur modele online të testimit në të gjitha shkollat, me qëllim që maturantët të familjarizohen me formatin e provimeve dhe të jenë sa më të përgatitur për testet zyrtare.
Sipas saj, provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në 114 qendra në të gjithë vendin, ndërsa procesi do të monitorohet nga 170 mbikëqyrës.
Kumbaro theksoi se këtë vit nuk do të ketë asnjë tolerancë për shkeljet e rregullores, duke paralajmëruar masa ndëshkimore si për administratorët, ashtu edhe për nxënësit që tentojnë të shmangin rregullat gjatë provimeve.
“Kemi bërë modele online për testin e maturës në të gjitha shkollat e vendit. Janë 114 qendra provimi të maturës në të gjithë vendin dhe 170 monitorues. Asnjë tolerancë në zbatimin e rregullores së maturës shtetërore.
Ka një ashpërsim të rregullave dhe masave ndëshkimore. Sanksionet do të jenë si për administratorët që nuk do të kryejnë mirë punën, ashtu edhe për nxënësit që do t’i shmangen rregullores”, u shpreh ministrja.
Ajo paralajmëroi se çdo maturant që shkel rregullat gjatë zhvillimit të provimeve do të përjashtohet menjëherë nga procesi i Maturës Shtetërore.
“Çdo thyerje rregulli nga maturantët do të sjellë përjashtimin e nxënësit nga procesi i provimit dhe këtë duhet ta ketë parasysh gjithkush, në mënyrë që të mos ndërmerren hapa të pamenduar”, shtoi Kumbaro.
Ministria e Arsimit bëri të ditur gjithashtu se sistemi i monitorimit dhe organizimit të provimeve është përforcuar ndjeshëm këtë vit, me synimin për të garantuar një proces sa më të besueshëm dhe korrekt për të gjithë maturantët në vend.
“KORÇA BOOM”
















