Pas 11 ditësh bllokim, ARRSH: Aksi Librazhd-Prrenjas hapet sot në orën 12:00
- 2 hours ago
- 1 min read
Pas rreth 12 ditësh e bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dherave, këtë të martë është bërë e mundur hapja për qarkullim e rrugës Librazhd–Prrenjas.
Lajmi bëhet i ditur përmes një njoftimi zyrtar të Autoriteti Rrugor Shqiptar.
“Sot, më datë 03.03.2026, ora 12:00, rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe tonazhin e rëndë, me kusht respektimin e ngarkesës 8.2 ton për aks, në aksin Librazhd–Prrenjas.
Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, tashmë të bërë publike, në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës dhe banorët e zonës, autoritetet u bëjnë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë”, njofton Autoriteti Rrugor Shqiptar.
“KORÇA BOOM”
















