top of page

“Pas 15 vitesh, liqenorët i rikthejmë në elitë”. Zguro “ndez” ëndrrën e Pogradecit: Në Laç fitojmë për Superioren

  • 5 hours ago
  • 2 min read

Pogradeci është vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës së madhe: Rikthimit në Superiore pas 15 vitesh mungesë. Liqenorët po bëjnë përgatitjet e fundit për sfidën më të rëndësishme të sezonit, atë të së dielës në Laç, një duel që mund të vendosë fatin e gjithë kampionatit. Kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundi, skuadra pogradecare përballet me rivalin që e ka ndjekur hap pas hapi gjatë gjithë sezonit.


Në kampin liqenor atmosfera është elektrizuese: motivimi është maksimal në aspektin moral, psikologjik dhe financiar, ndërsa e gjithë vëmendja është përqendruar te kjo përballje që mund të vulosë matematikisht ngjitjen në elitë. Një fitore në fushën e vështirë të Laçit do ta afronte Pogradecin me festën e shumëpritur, një festë që qyteti e kërkon prej dy sezonesh. Edhe nëse objektivi nuk mbyllet këtë javë, shpresat mbeten të forta në ndeshjet e mbetura, por te Pogradeci duan ta zgjidhin gjithçka që tani. Skuadra është më e vendosur se kurrë për të mos e lënë t’i ikë nga duart kjo mundësi.


Kujtimi i sezonit të kaluar, kur humbën shansin në “play out” ndaj Tiranës, ka bërë që pogradecarët të mos duan të lënë asgjë në dorë të fatit. Këtë herë objektivi është i qartë, ngjitja direkte në Superiore. Rruga drejt elitës kalon nga Laçi. Një “malore” e vërtetë, ku Pogradeci duhet të tregojë forcën e tij për të mposhtur rivalin direkt e më pas për të hedhur hapin final drejt rikthimit mes më të mirëve. Janë dy ndeshje që vlejnë sa një sezon i tërë dhe pas skuadrës qëndron një qytet i tërë që pret rikthimin e lavdisë.


Kapiteni Zguro


Kapiteni Vangjel Zguro, një nga liderët e kësaj skuadre, e konsideron këtë përballje si provën vendimtare për të treguar se kush e meriton Superioren. “Skuadra vjen në këtë ndeshje me moral shumë të lartë, pasi vijmë nga 9 fitore radhazi dhe sigurisht që kërkojmë edhe të dhjetën. Ndeshje të tilla tregojnë realisht se cila skuadër e meriton të jetë sezonin e ardhshëm në Superiore. Ne do ta tregojmë në fushë dhe me rezultat se e meritojmë këtë ngjitje”, deklaroi kapiteni pogradecar. 33-vjeçari ka qenë një nga shtyllat e skuadrës këtë sezon, duke luajtur 27 ndeshje dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm edhe në fazën sulmuese me 4 gola vendimtarë, pavarësisht rolit si mbrojtës i majtë.


Mesazhi i tij për tifozët ishte i drejtpërdrejtë dhe plot besim: “Si kapiten i ekipit, u premtoj tifozëve tanë se do të bëjmë maksimumin dhe do të dalim me tri pikë nga Laçi. Pas 15 vitesh mungesë, duam ta rikthejmë Pogradecin aty ku e meriton, mes skuadrave elitare. 19 prilli është dita për t’u bashkuar të gjithë drejt stadiumit ‘Laçi’, për të qenë së bashku dëshmitarë të suksesit të kësaj skuadre”. E diela pritet të jetë dita e së vërtetës për Pogradecin. Një fitore në Laç do të ishte shumë më tepër se tri pikë: do të ishte porta drejt Superiores dhe shpërblimi i një sezoni të tërë sakrificash. Tani mbetet vetëm fusha të flasë./ PanoramaSport

“KORÇA BOOM”

bottom of page