top of page

PD miraton statutin e ri/ Bardhi: Anëtarët do të kenë më shumë fuqi në vendimmarrje

  • 1 hour ago
  • 2 min read

Kuvendi i Partia Demokratike e Shqipërisë ka miratuar sot në parim, nen për nen dhe në tërësi ndryshimet në statutin e partisë, duke synuar forcimin e demokracisë së brendshme dhe rritjen e rolit të anëtarësisë në vendimmarrje.


Një nga dispozitat që mbetet e pandryshuar është i ashtuquajturi “Neni Basha”, i cili parashikon dorëheqjen e kryetarit të partisë në rast humbjeje në zgjedhje.


Ndryshimet e reja parashikojnë ngritjen e një komisioni të posaçëm për shqyrtimin dhe filtrimin e kandidaturave për deputetë dhe kryetarë bashkish, përpara se ato të kalojnë në procesin e primareve. Sipas rregullave të reja, vetëm kandidatët që kalojnë këtë fazë verifikimi do të mund të garojnë në primare.


Gjatë prezantimit të statutit, Gazment Bardhi theksoi se ndryshimet synojnë ta bëjnë partinë më demokratike dhe më të hapur ndaj anëtarëve.


“Statuti garanton funksionim demokratik dhe e vendos pushtetin në duart e anëtarëve, jo të strukturave të ngushta drejtuese. PD është e vetmja forcë politike ku vullneti i anëtarit ka peshë reale në vendimmarrje”, u shpreh Bardhi.


Një tjetër risi është rritja e përfaqësimit të diasporës, e cila do të ketë deri në 15% të vendeve në organet drejtuese dhe në listat e kandidatëve për zgjedhje.


Statuti i ri parashikon gjithashtu forcimin e rolit të grave dhe vajzave në parti, përmes rritjes së kuotave dhe përfaqësimit në strukturat drejtuese.


Ndryshimet prekin edhe organizimin bazë të partisë, duke synuar forcimin e lidhjes mes degëve lokale dhe përfaqësuesve vendorë, me qëllim krijimin e një strukture më funksionale, më të koordinuar dhe më pranë anëtarësisë në çdo nivel.


NDRYSHIMET NE STATUT:


1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj. 15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.


2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.


3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.


4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.


5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).


6. Njohja e një statusi të barabartë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.


7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.


8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.

"KORÇA BOOM"


bottom of page