Plagosja e nxënësit, babai tregon detajet: Sherri nisi brenda në shkollë, u qëllua 4 herë me thikë…
- 2 hours ago
- 2 min read
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e regjistruar më 6 mars në gjimnazin “Sulejman Delvina” në Delvinë, ku mbeti i plagosur një nxënës 17-vjeçar.
Babai i të miturit të plagosur, ka rrëfyer momentet e konfliktit mes djalit të tij dhe një nxënësi tjetër, që përfundoi me përdorimin e thikës. Sipas tij, gjithçka nisi brenda ambienteve të shkollës dhe më pas u përshkallëzua jashtë saj.
Ai tregoi se djali i kishte rrëfyer se përplasja e parë kishte ndodhur në tualetin e shkollës, ku ishte goditur me shqelm nga bashkëmoshatari, edhe pse, sipas tij, i kishte thënë se nuk kishte asnjë konflikt me të dhe madje i kishte kërkuar ndjesë nëse kishte bërë ndonjë gabim.
Sipas babait, situata u mbyll për momentin në shkollë, ndërsa në vend kishte qenë edhe drejtori. Më pas, nxënësi tjetër kishte marrë një orë leje dhe ishte larguar nga shkolla.
“Kur djali im doli nga shkolla, një shok e thirri duke i thënë se e kërkonte ai. Djali ishte me një shok tjetër. Autori kishte shkuar në shtëpi dhe kishte marrë një thikë. Kur u afrua për ta goditur, shoku i djalit tim i doli përpara për ta ndaluar dhe në atë moment iu pre dora”, ka treguar ai në emisionin “Me Zemër të Hapur”.
Babai shtoi se më pas autori është përpjekur ta godasë djalin në zemër, por 17-vjeçari kishte kthyer shpatullën, duke marrë katër goditje me thikë.
“Më tha se e qëlloi katër herë rresht. Më pas e çuan në spital në Delvinë dhe më vonë e nisën për mjekim më të specializuar në Sarandë”, u shpreh ai.
Sipas familjarit, mjekët fillimisht kishin thënë se djali nuk ishte jashtë rrezikut për jetën, por plagët ishin të mëdha për shkak të goditjeve me thikë.
Pas incidentit, nxënësit e gjimnazit “Sulejman Delvina” protestuan më 6 mars para Komisariatit të Policisë në Delvinë. Ata pretenduan se konflikti mes dy të rinjve ishte i njohur më herët dhe se situata ishte denoncuar në drejtori, por pa u marrë masa konkrete për të parandaluar përshkallëzimin.
Nxënësit kritikuan mënyrën se si u menaxhua ngjarja, duke theksuar se një nga të përfshirët u lejua të largohej nga shkolla para përfundimit të orarit mësimor dhe se prindërit nuk u njoftuan për atë që kishte ndodhur.
Babai i 17-vjeçarit tha gjithashtu se familjarët e autorit kanë kërkuar falje pas ngjarjes.
Ndërkohë, nxënësit e shkollës kanë protestuar në lidhje me ngjarjen, teksa kërkojnë masa konkrete nga institucionet për të garantuar sigurinë në shkolla, duke theksuar se neglizhimi i rasteve problematike mund të çojë në pasoja edhe më të rënda.
“KORÇA BOOM”
















