top of page

POGRADECI nesër pret Burrelin/ Kapiteni Zguro motivon ekipin: Ecim me kokën lart!

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Pogradeci e mbyll fazën e dytë në shtëpi, ku të dielën pret Burrelin në një sfidë mjaft të rëndësishme për objektivat sezonal. Përballja vë përballë dy skuadra me një diferencë prej 10 pikësh mes tyre, por që janë shumë pranë në renditje, çka e bën duelin edhe më të luftuar.


Liqenorët janë të angazhuar në betejën për dy vendet e para, që sigurojnë ngjitjen direkte në Superiore. Aktualisht, Pogradeci ndodhet tetë pikë larg Skënderbeut kryesues dhe pesë pikë pas Laçit të vendit të dytë. Barazimi i marrë në Fier në minutat shtesë, falë penalltisë së shndërruar në gol nga kapiteni Vangjel Zguro, bëri që skuadra të humbiste disi terren ndaj rivalëve direktë, por pa e zbehur ambicien për objektivin madhor. Skuadra e drejtuar nga trajneri Emiljano Çela reagoi menjëherë pas atij barazimi, duke u fokusuar te ndeshja e radhës. Në kampin liqenor është punuar për të rikthyer qetësinë dhe për të rritur motivimin.


Presidenti Lilo zbriti personalisht në fushë për të komunikuar me lojtarët dhe për t’i inkurajuar për sfidën ndaj matjanëve, duke treguar mbështetje të plotë ndaj ekipit në këtë moment delikat të sezonit. Edhe klubi ka bërë thirrje për mbështetje maksimale nga tifozët, duke theksuar rëndësinë e pranisë së tyre në stadium. Në njoftimin zyrtar thuhet: “E DIELË, 15 SHKURT, ORA 13:30 – ju mirëpresim në stadium për të përjetuar live emocionet e ndeshjes me Burrelin. Mos e humbisni!”


Kapitni Vangjel Zguro - Përveç klubit, edhe kapiteni Vangjel Zguro ka dhënë mesazhin e tij motivues. Me një postim në rrjetet sociale, ku shfaqet së bashku me shokët e skuadrës në një moment bashkëbisedimi dhe relaksi, ai ka treguar frymën e unitetit brenda grupit.


Fotografia u shoqërua me diçiturën: “Pas vështirësive vjen lehtësimi, kokën lart shkojmë përpara”, e shoqëruar me një emoji zemre. Mesazhi është i qartë: në Pogradec janë të gjithë të bashkuar dhe të vendosur për të reaguar në fushë. Skuadra kërkon jo vetëm tre pikët, por edhe një paraqitje bindëse për të vijuar garën për ngjitje.


Në fazën e parë, Burreli fitoi në shtëpi me rezultatin 2-0, me gola të Arangos dhe Kastratit, ndaj sfida e së dielës shihet edhe si një mundësi për revansh sportiv. Të dielën pritet një ndeshje e fortë, por në kampin liqenor mbizotëron besimi se me unitet, përqendrim dhe mbështetjen e tifozëve, Pogradeci mund ta mbyllë fazën me një rezultat pozitiv dhe të mbajë gjallë ëndrrën e Superiores. Pogradeci dhe Burreli e kanë të sigurt që në fazën e tretë do të luajnë 6 ndeshje në shtëpi dhe 5 në transfertë. Sipas skemës dhe renditjes aktuale, i bie që në fazën e tretë Pogradeci të luaj në Laç dhe të presë derbin e juglindjes kundër Skënderbeut./ Panorama Sport


JAVA 22

E Shtunë (SOT)

Ora 13:30 Laçi – Besa

Ora 13:30 Luftëtari – Kastrioti

Ora 13:30 Kukësi – Korabi

Ora 16:30 Skënderbeu – Apolonia


E Diel (NESËR)

Ora 13:30 Pogradeci – Burreli

Ora 13:30 Iliria – Lushnja

“KORÇA BOOM”


bottom of page