Problemi i qenve endacakë rikthehet me forcë, fëmijë 8-vjeçar i sulmuar në shëtitore
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë dhe shqetësuese ka ndodhur paraditen e së shtunës në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, ku një fëmijë 8-vjeçar është sulmuar nga një kope qensh endacakë, të cilët frekuentojnë prej kohësh këtë zonë mjaft të populluar nga qytetarë dhe turistë.
Sipas burimeve, fëmija ndodhej në shëtitore së bashku me familjarët, kur papritur është rrethuar nga qentë dhe është kafshuar, duke përjetuar momente paniku. Menjëherë pas ngjarjes, ai është transportuar për ndihmë mjekësore, ku ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Familjarët kanë bërë denoncim pranë autoriteteve përkatëse, ndërsa ngjarja ka shkaktuar shqetësim dhe indinjatë të madhe te qytetarët. Banorët e zonës shprehen se prania e qenve endacakë në shëtitore, rrugë, lagje dhe pranë institucioneve publike është një problem i përsëritur dhe i pandërprerë, për të cilin mungojnë zgjidhje konkrete.
Qytetarët theksojnë se rreziku është i vazhdueshëm, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Durrësit dhe institucionet përgjegjëse. Ata apelojnë për masa të menjëhershme dhe afatgjata, që të garantohet siguria publike dhe të parandalohet përsëritja e ngjarjeve të tilla.
Kjo ngjarje rikthen edhe një herë në vëmendje problematikën serioze të menaxhimit të qenve endacakë në qytet, një çështje që prej vitesh mbetet pa zgjidhje efektive, pavarësisht ankesave të shumta nga komuniteti.
"KORCA BOOM"



















