top of page

Qeveria miraton kompensimin për bizneset pas rritjes së pagës minimale, aplikimet nga 1 prilli në e-Albania

  • 3 hours ago
  • 2 min read

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e rregullave, kritereve dhe masës së kompensimit të kontributeve të punëdhënësit për koston shtesë që krijohet nga rritja e pagës minimale.


Vendimi parashikon dhënien e një kompensimi financiar çdo muaj për periudhën kontributive janar–shtator 2026, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit për subjektet që preken nga rritja e pagës minimale.


Sipas vendimit, subjektet përfituese duhet të ushtrojnë aktivitet në të gjithë sektorët ekonomikë dhe të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga qeveria. Kompensimi financiar do të llogaritet në bazë të numrit maksimal të të punësuarve me pagë bruto nga 40 mijë deri në 49 mijë e 999 lekë, të deklaruar në listëpagesën e muajit shtator 2025.


Pagesa e kompensimit do të kryhet çdo muaj për periudhën janar–shtator 2026 nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (DRAKPA), në bazë të vendit ku subjekti ushtron aktivitetin kryesor.


Ndër kriteret kryesore për përfitim është që subjektet të mos jenë në pronësi shtetërore apo ente publike, të mos jenë të regjistruara si të vetëpunësuar dhe të mos kenë detyrime të papaguara ndaj organeve tatimore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.


Subjektet e interesuara duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike përmes portalit “e-Albania”, për periudhën që kërkojnë kompensim, nga data 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026.


Sipas vendimit, kompensimi financiar do të jepet në masën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit, në nivelin 16.7%, të llogaritur mbi diferencën e pagës së çdo punonjësi me pagë bruto nga 40 mijë deri në 49 mijë e 999 lekë në shtator 2025, krahasuar me pagën minimale të re prej 50 mijë lekësh.


Procesi i verifikimit të aplikimeve do të kryhet përmes ndërveprimit elektronik të sistemeve, ndërsa shpërndarja e kompensimit për përfituesit do të realizohet nga drejtoritë rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

"KORCA BOOM"


bottom of page