top of page

Rama ofertë me kusht studentëve: Qeveria do t'ju paguajë 50% të qirasë

12 hours ago
1 min read

Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër ofertë për studentët, sipas së cilës qeveria shqiptare do të mbulojë 50% të kostos së qirasë për ata që plotësojnë kriteret për përfitim.


Gjatë një deklarate me drejtuesit e bankave, kreu i qeverisë bëri të ditur se masa do të përfshihet në kuadër të ligjit për strehimin social dhe të përballueshëm, duke e lidhur nismën me rritjen e çmimeve të qirave, veçanërisht në Tiranë, ku studentët dhe familjet e tyre përballen me kosto të larta jetese.


“Ne do të nxjerrim një për një detyrat. Detyrat për ligjin për strehimin social dhe të përballueshëm, ku do na duhet edhe bashkëpunimi me ju. Është një ligj që adreson edhe problematikën e studentëve, sepse qysh në programin e Qeverisë dhe një muaj e kusur më parë, e hodhëm këtë draft duke krijuar një qasje krejt të re me rritjen e çmimeve dhe pamundësinë e studentëve për të paguar, pa iu marrë frymën prindërve, qiratë në Tiranë. Qeveria do të futet për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet”, deklaroi Rama.


Kryeministri nuk dha në këtë deklaratë hollësi të mëtejshme mbi kriteret konkrete të përfitimit, procedurat e aplikimit apo afatin kur skema pritet të nisë zbatimin.


Kjo ofertë vjen pas tetë ditësh protestash dhe refuzimit të studentëve për t'u ulur në dialog, teksa vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“KORÇA BOOM”


bottom of page