Reforma e azilit në Gjermani preket edhe shqiptarët, qendra të migrimit sekondar dhe punësim i shpejtë
- Feb 28
- 2 min read
Parlamenti gjerman, Bundestagu, miratoi një ashpërsim të ligjit të azilit, si dhe lehtësime për qasjen në tregun e punës për azilkërkuesit. Me votat e koalicionit qeveritar, Bundestagu përfshiu në legjislacionin gjerman Reformën e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (GEAS).
Qëllimi i GEAS është unifikimi i sistemeve të azilit në shtetet e Bashkimit Evropian, duke e bërë këtë reformë më të gjerë në kuadrin e së drejtës evropiane të azilit deri më tani. Reforma pritet të hyjë në fuqi më 12 qershor.
Sipas ligjit të ri, landeve federale u mundësohet të krijojnë qendra të reja azili, të quajtura qendra të migrimit sekondar, për persona që kërkojnë azil në Gjermani, por për të cilët përgjegjës është një shtet tjetër anëtar i BE-së.
Nga ana tjetër, azilkërkuesve me perspektivë qëndrimi në Gjermani do t’u lejohet të fillojnë punë vetëm tre muaj pas mbërritjes, ndërsa më parë ndalimi praktikisht zgjaste gjashtë muaj, nëse ata jetonin në një qendër pritjeje.
Procedura në kufijtë e jashtëm dhe vendet e treta
Reforma parashikon që procedurat e azilit mund të kryhen edhe në kufijtë e jashtëm të BE-së. Migrantët mund të dërgohen në shtete të treta, jashtë BE-së, ku mund të kryhen procedurat e azilit. Ministri federal i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, mbështet këtë mundësi, ndërsa BE-ja vendosi që refugjatët mund të dëbohen edhe në shtete me të cilat nuk kanë lidhje.
Po ashtu, reforma përfshin ndryshime në regjistrimin e azilkërkuesve, kufizim të lirisë së lëvizjes dhe rregulla të reja për arrestimin e tyre, sipas nevojës.
Dëbim dhe qendrat e migrimit sekondar
Modeli i qendrave të migrimit sekondar parashikon që personat e vendosur aty të jenë të detyruar të qëndrojnë. Këto qendra janë për azilkërkues që kanë marrë status mbrojtjeje në një shtet tjetër të BE-së, ose për të cilët përgjegjës për procedurën e azilit është një shtet tjetër sipas rregullave të Dublinit.
"KORCA BOOM"
















