Reforma Territoriale/ PS u dërgon bashkive projektligjin
Ndërsa në disa qytete të vendit kanë nisur protesta kundër reformës së re territoriale, Partia Socialiste ka hedhur hapin e radhës duke u dërguar të gjitha bashkive projektligjin për ndarjen e re administrative të njësive të qeverisjes vendore.
Në shkresën zyrtare, bashkive u kërkohet që kryetarët dhe këshillat bashkiakë të shprehin qëndrimin e tyre mbi projektligjin, duke argumentuar çdo kundërshtim apo duke propozuar alternativa konkrete.
Po ashtu, projektligji parashikon që çdo bashki të zhvillojë dëgjesa publike me qytetarët brenda 60 ditëve nga marrja e kërkesës, me qëllim informimin dhe konsultimin për ndryshimet e propozuara.
Sipas draftit, Shqipëria do të organizohet në 46 bashki dhe 12 qarqe, sipas modelit "bashki–qytet". Në këtë skemë, bashkitë do të përbëhen nga qytetet, ndërsa qytetet do të përfshijnë njësitë administrative dhe fshatrat, duke funksionuar si njësi planifikimi, përfaqësimi dhe organizimi të shërbimeve.
Struktura e re përfshin gjithsej 71 qytete dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet. Dy prej konsolidimeve do të jenë trepalëshe: Bashkia e Beratit do të përfshijë Beratin, Dimalin dhe Poliçanin, ndërsa Bashkia e Elbasanit do të bashkojë Elbasanin, Cërrikun dhe Belshin.
Edhe organizimi i qarqeve do të ndryshojë. Vlora parashikohet të jetë qarku me numrin më të madh të bashkive, gjithsej gjashtë, e ndjekur nga Korça me pesë bashki. Qarqet Elbasan, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë do të kenë nga katër bashki secili, ndërsa Berati, Dibra, Durrësi, Kukësi dhe Lezha do të përbëhen nga tre bashki.
Sipas Partisë Socialiste, ndarja e re territoriale është hartuar mbi bazën e tre treguesve kryesorë: funksionalitetit të bashkive, performancës ekonomike dhe masës urbane. Pikërisht mbi këto kritere pritet të mbështeten edhe opinionet që do të paraqesin bashkitë dhe këshillat bashkiakë gjatë procesit të konsultimit.
Objektivi i mazhorancës është që zgjedhjet vendore të vitit 2027 të zhvillohen mbi bazën e kësaj ndarjeje të re administrative.
“KORÇA BOOM”
















