Rrugorja nuk fal, 4 255 masa administrative dhe 8 shoferë të arrestuar
- 1 day ago
- 2 min read
Policia Rrugore ka vijuar kontrollet intensive në të gjithë vendin, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Gjatë 24 orëve të fundit, patrullat kanë monitoruar akset kryesore kombëtare dhe zonat urbane, duke evidentuar dhe ndëshkuar qindra drejtues mjetesh që kanë shkelur rregullat e qarkullimit.
Sipas bilancit zyrtar, janë vendosur gjithsej 4 255 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Po ashtu, janë arrestuar 8 drejtues automjetesh, ku 6 prej tyre u kapën duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ndërsa 2 të tjerë rezultuan pa leje drejtimi.
Kontrollet kanë evidentuar një numër të lartë shkeljesh që lidhen me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, parkimet e gabuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe të kaskës mbrojtëse, si edhe parakalime të rrezikshme.
Në zonat urbane janë vendosur 1 530 masa administrative për parkime të gabuara, ndërsa automjetet e parkuara në korsitë e dedikuara apo mbi trotuare janë larguar me mjetet ngritëse të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, në akset nacionale janë ndëshkuar 1 331 drejtues për tejkalim të shpejtësisë së lejuar. Gjithashtu, 27 shoferë janë penalizuar për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 11 të tjerë për zhurma dhe manovra të rrezikshme në qendrat urbane, ndërsa 494 drejtues janë ndëshkuar për shkelje të tjera të konstatuara gjatë kontrolleve.
Për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve drejt zonave turistike dhe bregdetare, Policia Rrugore ka shtuar prezencën në terren, patrullimet dhe monitorimet me mjete inteligjente, duke paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë me të njëjtin intensitet.
Autoritetet u bëjnë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin shpejtësinë mbi normat e lejuara, drejtimin nën efektin e alkoolit dhe përdorimin e celularit gjatë drejtimit, në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë përdoruesve të rrugës.
“KORÇA BOOM”
















