top of page

Shtator 2026: Një fillim i ri për klasat 1, 6 dhe 10

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 2 min read

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë për arsimin parauniversitar po punon intensivisht për të përafruar kurrikulën shkollore me standardet europiane deri në vitin 2029. Një hap i rëndësishëm në këtë proces është përditësimi i teksteve për klasat 1, 6 dhe 10, të cilat pritet të hyjnë në përdorim në shtator 2026.


Sipas drejtorit të Agjencisë, Gert Janaqi, do të përditësohen rreth 140 tekste të të gjitha lëndëve. Përveç përditësimit të teksteve ekzistuese, do të ketë edhe tekste të reja për qytetarinë dhe gjuhën shqipe, me fokus në forcimin e identitetit kombëtar. “Gjuha shqipe është një aset i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për diasporën,” thekson Janaqi.


Përditësimet nuk përfshijnë vetëm përmbajtjen, por edhe mënyrën e zhvillimit të mësimit në klasë. Nxënësit do të kenë më shumë mundësi për të punuar individualisht dhe në grup, ndërsa përdorimi i teknologjisë në mësimin e gjuhës shqipe paraqet një risi të rëndësishme. Kurrikula do të jetë fleksibile dhe e zbatueshme sipas rajoneve, duke mundësuar që çdo shkollë të implementojë tema të përshtatura me kontekstin lokal.


Synimi i përditësimeve është që nxënësit të jenë më kompetentë, të aftë të përdorin gjuhën dhe teknologjinë, dhe të përballojnë situata që lidhen me jetën reale. Do të ketë më shumë orë praktike dhe laboratorë inteligjentë, duke rritur përfshirjen e nxënësve në procesin mësimor dhe duke i ndihmuar ata të zhvillojnë aftësi praktike.


Ekspertët e arsimit, përfshirë Irsa Rucin, theksojnë rëndësinë e përshtatjes së këtyre ndryshimeve me realitetin e shkollave dhe nevojat e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë. “Është e rëndësishme që këto ndryshime të mos zbatohen në mënyrë shabllone, por të testohen dhe të përshtaten me realitetin e nxënësve,” shprehet Ruci.


Ky proces modernizimi dhe përditësimi i kurrikulës synon të ndërthurë ruajtjen e identitetit kombëtar, zhvillimin e aftësive praktike dhe teknologjike, dhe përforcimin e gjuhës shqipe si një disiplinë me strukturë të qartë.

"KORCA BOOM"


bottom of page