Shuhet plotësisht zjarri në Voskopojë, nuk ka më vatra aktive
- 1 day ago
- 1 min read
Pas dy ditësh luftë me flakët, zjarri që përfshiu fshatin Voskopojë është shuar plotësisht, duke i dhënë fund një situate që mbajti në gatishmëri forcat zjarrfikëse dhe autoritetet vendore.
Shuarja totale e flakëve u bë e mundur vetëm pak më parë, falë ndërhyrjes së pandërprerë të forcave zjarrfikëse, të mbështetura edhe nga reshjet e shiut që ranë në zonë gjatë orëve të fundit. Sipas informacioneve, nuk ka më asnjë vatër aktive zjarri.
Flakët kishin qenë aktive për rreth dy ditë, duke u riaktivizuar disa herë dhe duke e bërë më të vështirë operacionin për izolimin dhe shuarjen e tyre. Gjatë gjithë kësaj kohe, efektivët zjarrfikës dhe strukturat përgjegjëse punuan pa ndërprerje për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Ndërhyrja e koordinuar në terren, së bashku me kushtet më të favorshme atmosferike, solli shuarjen përfundimtare të flakëve dhe eliminimin e rrezikut për riaktivizimin e tyre.
Megjithëse situata tashmë është normalizuar, autoritetet do të vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur çdo rrezik të mundshëm, ndërsa në ditët në vijim pritet të publikohet edhe bilanci i plotë i dëmeve të shkaktuara nga zjarri.
“KORÇA BOOM”
















