SKANDALI me fëmijët në Shtëpinë e Foshnjës!
- Korca Boom
- 4 hours ago
- 2 min read
Një prej shembujve më flagrant të abuzimit me fondet publike po ndodh në Vlorë, ku Shtëpia e Foshnjës, një institucion që sipas të dhënave zyrtare nuk ka pasur asnjë fëmijë në kujdes që prej vitit 2023, vazhdon të konsumojë çdo muaj shuma të konsiderueshme nga buxheti i shtetit, sikur të ishte ende një strukturë funksionale dhe e domosdoshme për komunitetin.
Dokumentet financiare zbulojnë një realitet të pabesueshëm, rreth 11 milionë lekë të vjetra paguhen çdo muaj për një ndërtesë ku nuk jeton, nuk trajtohet dhe nuk kujdeset asnjë fëmijë. Në letër, institucioni figuron aktiv. Në terren, është një godinë e heshtur, e mbyllur, pa zë dhe pa jetë, që prej më shumë se një viti.
Megjithatë, pavarësisht se shërbimi nuk ekziston më, pagat vazhdojnë të derdhen pa asnjë ndërprerje.
Më shumë se 10 punonjës marrin rrogë mujore, edhe pse institucioni tërësisht nuk ushtron më asnjë funksion. Çdo muaj, shteti paguan administratë, për një strukturë që realisht nuk ka asgjë për të administruar.
Por pjesa më absurde, më tronditëse dhe më fyese për qytetarët është fakti që vazhdojnë të paguhen roje sigurie, të cilët ruajnë një godinë bosh. Pagesat kapin shifrën e 970 mijë lekëve të vjetra në muaj, vetëm për të “mbrojtur” muret dhe dyert e një ndërtesë që nuk ka as staf aktiv, as fëmijë, as proces pune.
Kjo nuk është hera e parë që Shtëpia e Foshnjës në Vlorë del në qendër të abuzimeve. Një emision investigativ disa vite më parë zbuloi se institucioni kishte shpenzuar 700 mijë lekë të vjetra për servis makine, në një kohë kur nuk zotëronte asnjë automjet në pronësi të saj.
Pra, abuzimet financiare në këtë institucion nuk janë të reja ato thjesht janë mbuluar dhe harruar me kalimin e viteve.
Nga informacionet e siguruara së fundmi, rezulton se institucioni nuk ka aktualisht as drejtor. Emrat e raportuar vite më parë janë larguar, kanë dhënë dorëheqje ose nuk figurojnë më në dokumentet e fundit. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar për një drejtues të ri dhe gjithashtu nuk ekziston asnjë komunikim publik nga Bashkia Vlorë apo institucionet e tjera përgjegjëse.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e rëndësishme: Nëse nuk ka drejtor, kush i firmos, kush i kontrollon dhe kush i administron fondet?
Ironikisht, ky skandal ndodh në një kohë kur dhjetëra familje shqiptare jetojnë në kufijtë e mbijetesës. Në Vlorë e në mbarë vendin ka familje që nuk arrijnë të sigurojnë as ushqimet bazë, ndërkohë që shteti shpenzon miliona për një godinë pa funksion vetëm për të mbajtur gjallë një strukturë administrative që ekziston vetëm në letra. /JOQ
“KORÇA BOOM”




















