top of page

Skënderbeu "godet" në merkato, nesër zbarkon në Korçë ish-kampioni i Tiranës!

  • 13 minutes ago
  • 2 min read

Skënderbeu vijon të lëvizë fuqishëm në merkaton e verës dhe është shumë pranë zyrtarizimit të një tjetër përforcimi me eksperiencë. Bardhekuqtë kanë arritur akordin me mesfushorin Enur Totre, ish-kampion me Tiranën dhe një emër i njohur i futbollit në Maqedoninë e Veriut.

29-vjeçari nga Tetova ishte lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës së tij te Gjilani dhe pritet që të firmosë kontratën me klubin korçar, duke u vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Julian Ahmataj.


Një konfirmim i rëndësishëm ka ardhur edhe nga drejtori teknik i Skënderbeut, Ardi Gjançi, i cili bëri të ditur se Enur Totre pritet të mbërrijë nesër në Korçë. Sipas tij, futbollisti do t'i bashkohet skuadrës, ndërsa për detajet e marrëveshjes dhe zyrtarizimin, klubi do të dalë me një njoftim në ditët në vijim.


Totre vjen në Korçë me një CV të pasur dhe eksperiencë të konsiderueshme. Gjatë karrierës së tij ai ka fituar pesë trofe, mes të cilëve tre tituj kampion me Shkëndijën e Tetovës në sezonet 2017/18, 2018/19 dhe 2020/21, një titull kampion me Tiranën në sezonin 2021/22, si dhe Kupën e Maqedonisë me Shkëndijën në sezonin 2015/16.

Mesfushori numëron gjithashtu dy paraqitje me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut dhe shtatë ndeshje me përfaqësuesen U-21, ndërsa në karrierën e tij ka veshur fanellat e Shkëndijës, Tiranës, Vorskla Poltavës në Ukrainë, Sakaryasporit në Turqi dhe së fundmi Gjilanit në Kosovë.


Afrimi i Enur Totres konsiderohet një tjetër lëvizje me peshë në merkaton e Skënderbeut. Drejtuesit bardhekuq vijojnë punën për kompletimin e skuadrës, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zyrtarizohen edhe afrime të tjera, me synimin për t'i ofruar trajnerit Julian Ahmataj një grup sa më konkurrues për sezonin e ri në Superiore.

“KORÇA BOOM”


bottom of page