Skënderbeu viziton Kastriotin, test i forcës për kryesuesit. Ndreu beson: Ndaj korçarëve vetëm për fitore
- Korca Boom
- 18 minutes ago
- 1 min read
Kastrioti rikthehet sot në shtëpi për të përballur kryesuesin e kampionatit, Skënderbeun, në sfidën që luhet në orën 14:00 në stadiumin “Redi Maloku”. Përballja mes dy skuadrave me histori dhe traditë në Superiore të krijon përshtypjen e një dueli elitar, por realiteti e vendos atë në javën e 9-të të Kategorisë së Parë.
Pozicioni i Kastriotit në fund të renditjes e bën sfidën edhe më jetike për objektivat e mbijetesës. Trajneri Ramazan Ndreu, në një prononcim për “Panorama Sport”, u ndal fillimisht te humbja e fundit 4-0 ndaj Pogradecit: “Rezultati i thellë erdhi për shkak të mungesave të shumta në formacion. E kemi analizuar në detaje atë ndeshje dhe kemi vend për rregullime. Shpresoj që ndaj korçarëve të tregojmë se nuk e meritojmë pozicionin ku jemi”. Skënderbeu vjen në këtë duel si kryesues i Kategorisë së Parë dhe favorit në letër, por kjo nuk e frikëson teknikun krutan:
“Për vetë situatën ku ndodhemi, fitorja është e vetmja alternativë. Duhet të dalim nga vendi i fundit dhe kjo sfidë është mundësia jonë. E vlerësoj Skënderbeun si skuadër me traditë dhe kryesuese të kampionatit, por jam optimist se do t’ia dalim.” Lajmi pozitiv për Kastriotin është rikthimi i të gjithë lojtarëve, me skuadrën që do të zbresë në fushë me formacion të plotë. Pas tetë javësh, krutanët numërojnë vetëm 4 pikë dhe golavarazh negativ 6-15, por në “Redi Maloku” presin një nisje të re me një fitore të madhe./ Panorama sport
“KORÇA BOOM”
















