top of page

Sot afati i fundit i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi

  • 14 hours ago
  • 1 min read

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi se sot përfundon afati për aplikimet në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, pas shtyrjes së vendosur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.


Sipas AZHBR-së, aplikimet për të gjitha masat mbështetëse do të pranohen deri në orën 16:30.


Skema përfshin mbështetje financiare për blegtorinë, bletarinë, dosat dhe paradosat, kontrollin biologjik, fermat organike, certifikimin Global G.A.P., sipërfaqet e mbjella, si edhe ripopullimin në ujërat e brendshme.

Në kuadër të kësaj skeme mbështeten gjithashtu investimet për fermerët e rinj, ndërtimi i staneve dhe mekanizimi i bujqësisë.


AZHBR u bëri thirrje fermerëve që të aplikojnë brenda afatit, duke sqaruar se aplikimet për masat direkte kryhen përmes portalit e-Albania, ndërsa për masat e investimeve dosjet fizike duhet të dorëzohen pranë zyrave qendrore të agjencisë.


Fillimisht, afati i aplikimeve ishte përcaktuar të mbyllej më 26 qershor, por Ministria vendosi ta shtyjë atë deri më 6 korrik, për t’u dhënë mundësi një numri sa më të madh fermerësh të përfundojnë procedurat e aplikimit.


Procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 nisi më 25 maj, duke u ofruar fermerëve mundësinë të aplikojnë për një sërë masash mbështetëse, që synojnë rritjen e prodhimit, modernizimin e fermave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor./ Oranews

"KORÇA BOOM"



bottom of page