top of page

Studiuesja shqiptare në Kongresin Botëror të EURALEX-it në Akademinë e Shkencave në Vjenë: Në fokus fjalorët shqip

12 hours ago
2 min read

Nga 29 shtatori deri më 3 tetor 2026, studiuesja shqiptare Prof. Assoc. Dr. Manjola Zaçellari mori pjesë në XXII EURALEX International Congress 2026 – “Lexicography in the Age of AI”, të mbajtur në Akademinë e Shkencave në Vjenë, një takim i rëndësishëm ndërkombëtar, që mblodhi mbi 300 studiues, leksikografë dhe profesionistë të fushës nga vende të ndryshme të botës.


Në këtë kongres Prof. Zaçellari prezantoi studimin: “The Making of Meaning: From the 1980 Albanian Communist Dictionary to the Great Dictionary of 2026”, një analizë që, përmes krahasimit të fjalorit të vitit 1980 me atë të vitit 2026, gjurmon ndryshimet në mënyrën se si fjalori përkufizon fjalët dhe pozicionohet përkundrejt realitetit që përshkruan.


Studimi udhëhiqet nga një pyetje qendrore: Si hyn ideologjia në një përkufizim leksikografik? Analiza u përqendrua veçanërisht te ndryshimi i “zërit leksikografik” nga Fjalori i gjuhës së sotme shqipe i vitit 1980 te Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe i vitit 2026, në hartimin e të cilit prof. Zaçellari ka pasur privilegjin të kontribuojë si bashkautore.


Prezantimi u prit me interes nga të pranishmit, ndërsa diskutimi që pasoi u përqendrua te çështjet e trajtuara në studim.

Vëmendje tërhoqi analiza konkrete e mënyrave përmes të cilave ideologjia mund të hyjë në mikrostrukturën e një fjalori: përmes vlerësimit brenda përkufizimit, elementeve doktrinare, distancimit epistemik, kolokacioneve ideologjike dhe ndikimit të modeleve leksikografike sovjetike. Me interes të veçantë u prit edhe analiza e fjalës “gjoja”, si shembull se si edhe një element i vetëm gjuhësor mund të zbulojë pozicionimin ideologjik dhe epistemik të “zërit të fjalorit”.


Një nga përfundimet kryesore që Prof. Zaçellari paraqiti ishte se ndryshimi nga fjalori i vitit 1980 te ai i vitit 2026 nuk mund të reduktohet thjesht në kalimin nga një fjalor “ideologjik” në një fjalor “neutral”. Fjalët shpesh mbeten; ajo që ndryshon është se kush flet përmes përkufizimit. Është një zhvendosje nga pohimi ideologjik drejt përshkrimit dhe atribuimit të distancuar.

Pjesëmarrja në Kongresin Botëror të EURALEX-it solli për studiuesen shqiptare edhe një tjetër arritje të rëndësishme profesionale: tashmë ajo është anëtare e EURALEX - European Association for Lexicography. Anëtarësimi në këtë komunitet ndërkombëtar të leksikografëve e bën këtë përvojë edhe më domethënëse dhe krijon mundësi të reja për bashkëpunim, kërkim shkencor dhe shkëmbim akademik.


*Prof. Asoc. Dr. Manjola Zaçellari është pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, institucion që mbështeti pjesëmarrjen e saj në kongres. Ajo kthehet nga Vjena me një arritje të re profesionale dhe me kënaqësinë që gjuha shqipe, leksikografia shqiptare dhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe u bënë pjesë e një diskutimi të gjerë ndërkombëtar mbi fjalorët, ideologjinë dhe mënyrën se si ndërtohet kuptimi.



“KORÇA BOOM”



bottom of page