top of page

Tensione dhe përplasje para Kuvendit/ Tre efektivë të plagosur

  • 4 days ago
  • 1 min read

Tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë janë regjistruar këtë të enjte jashtë ambienteve të Kuvendit, pak para nisjes së seancës plenare.


Protesta e organizuar përpara Parlamentit u përshkallëzua me mbërritjen e deputetëve, kur një grup protestuesish hodhën vezë në drejtim të tyre. Menjëherë pas incidentit, forcat e policisë ndërhynë për të neutralizuar situatën, duke shoqëruar gjashtë protestues.


Gjatë përplasjeve mbetën të plagosur tre efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa tensioni në zonë vijoi të mbetej i lartë.


Pas ndërhyrjes së parë, protestuesit u zhvendosën drejt zonës së pedonales, ku tentuan të çajnë kordonin e sigurisë të ngritur nga policia. Për të frenuar avancimin e turmës, forcat e rendit përdorën spraj lotsjellës.


Përplasjet zgjatën për disa minuta, ndërsa policia arriti të mbajë nën kontroll perimetrin e sigurisë përreth godinës së Kuvendit.


Në hyrje të Parlamentit janë vendosur gjithashtu në gatishmëri edhe dy automjete ujëhedhëse, si masë parandaluese, megjithëse deri në këtë fazë nuk janë përdorur.


Pas njoftimit për plagosjen e tre efektivëve, ministri i Brendshëm, Besford Lamallari, doli nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit për të ndjekur nga afër gjendjen e punonjësve të policisë të lënduar.


Ndërkohë, situata në zonën përreth Kuvendit vijon të monitorohet nga forcat e rendit, ndërsa protesta po zhvillohet paralelisht me seancën plenare.

“KORÇA BOOM”


bottom of page