Tensione jashtë shtëpisë: Përplasje e fortë mes familjarëve të Selin dhe Rogertit
- 6 days ago
- 2 min read
Tensionet e finales së spektaklit Big Brother VIP Albania 5 kanë kaluar tashmë edhe jashtë shtëpisë, duke u reflektuar në një përplasje të fortë në emisionin Fan Club mes familjarëve të dy finalistëve, Selin dhe Rogertit.
Gjatë transmetimit, në studio u përballën drejtpërdrejt tezja e Selin dhe bashkëshortja e Rogertit, duke shkëmbyer akuza të forta lidhur me rrugëtimin dhe sjelljen e banorëve brenda shtëpisë.
Tezja e Selin mbrojti me vendosmëri mbesën e saj, duke theksuar se ajo ka përballuar sfida të shumta, përfshirë akuza dhe tentativa për të dëmtuar imazhin e saj.
“Selin është përballur me gjithçka aty brenda, nga denigrimet deri te cenimi i imazhit. Ajo ka treguar forcë dhe karakter,” u shpreh ajo, duke shtuar se sipas saj, Selin meriton të shpallet fituese.
Nga ana tjetër, bashkëshortja e Rogertit paraqiti një këndvështrim ndryshe, duke argumentuar se situatat e krijuara kanë qenë pjesë e lojës dhe zgjedhjeve të vetë banorëve.
“Selin mund t’i kishte shmangur disa situata, por ka zgjedhur të përballet. Madje përplasja me Rogertin bëri që të harrohej një tjetër temë,” deklaroi ajo, duke lënë të kuptohet për dinamikat e mëparshme në shtëpi.
Debati u ashpërsua edhe më tej kur tezja e Selin akuzoi Rogertin për përdorim të gjuhës denigruese ndaj mbesës së saj, duke e cilësuar këtë si të papranueshme.
“Ofendimet dhe mënyra si është trajtuar Selin janë të turpshme,” u shpreh ajo.
Ndërsa bashkëshortja e Rogertit reagoi duke theksuar se nuk mund të mbajë përgjegjësi për deklaratat e tij:
“Unë nuk kërkoj ndjesë për fjalët e Rogertit, sepse nuk i kam thënë unë.”
Përplasja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat janë ndarë në mbështetje të dy finalistëve. Me afrimin e finales, tensionet duket se po shtohen, duke e bërë garën edhe më të zjarrtë dhe të ndjekur nga publiku.
“KORÇA BOOM”
















