Një gjuhë, një alfabet, një komb! Kongresi i Manastirit që bashkoi shqiptarët
14 nëntori shënon nisjen e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, Kongresit të Manastirit, i cili u zhvillua nga 14 deri më 22 nëntor 1908 dhe hodhi themelet e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe.
Në këtë mbledhje historike, patriotë dhe intelektualë shqiptarë nga të gjitha trevat u bashkuan me një qëllim të përbashkët: mbrojtjen, zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, si një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar.
Në Kongres morën pjesë 50 delegatë, që përfaqësonin shoqëri, klube dhe organizata shqiptare nga vende të ndryshme. Pavarësisht dallimeve fetare dhe krahinore, ata u bashkuan rreth një ideali të vetëm: një gjuhë dhe një alfabet për të gjithë shqiptarët.
Punimet u drejtuan nga figura të shquara të Rilindjes Kombëtare, ndërsa ndër personalitetet e rëndësishme të këtij procesi ishin At Gjergj Fishta dhe Mid’hat Frashëri, të cilët dhanë një kontribut të çmuar në realizimin e këtij misioni historik.
Vendimet e Kongresit shënuan një hap vendimtar drejt përdorimit të një alfabeti të përbashkët, duke krijuar mundësi më të mëdha për zhvillimin e arsimit, botimeve dhe përhapjen e dijes në gjuhën shqipe.
Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një takim për shkronjat. Ai ishte një dëshmi e fuqisë së bashkimit kombëtar, një moment kur shqiptarët treguan se gjuha dhe identiteti i tyre qëndronin mbi çdo dallim.
Sot, më shumë se një shekull më vonë, kjo ngjarje mbetet një kujtesë e rëndësishme për vlerën e gjuhës shqipe dhe përgjegjësinë që kemi për ta ruajtur e përcjellë atë brez pas brezi.
Siç shkruante At Gjergj Fishta në vargjet e tij të njohura:
“Pra mallkue njai bir Shqyptari,qi këtë gjuhë të Perëndis,trashigim që na la i pari,trashigim s’ia len as fmis.”
Gjuha shqipe është pasuria jonë e përbashkët, trashëgimia që na bashkon dhe një nga shenjat më të forta të identitetit tonë kombëtar.
“KORÇA BOOM”
















