Korça nderon 12 delegatët e Kongresit të Manastirit, zbulohen dokumente dhe fotografi historike
Fotografi, dokumente dhe botime historike që dëshmojnë jetën dhe veprimtarinë e 12 delegatëve nga Qarku i Korçës në Kongresin e Manastirit u prezantuan në një ekspozitë të veçantë me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në aktivitet morën pjesë edhe pasardhës të delegatëve, të cilët ndanë kujtime dhe dëshmi familjare.
Korça përkujtoi 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, përmes një aktiviteti kushtuar kontributit të 12 delegatëve të kësaj treve në Kongresin e Manastirit.
Në qendër të aktivitetit ishte ekspozita historike e përgatitur nga studiuesi dhe koleksionisti Niko Kotherja, i cili prezantoi fotografi, dokumente dhe botime që pasqyrojnë jetën dhe veprimtarinë patriotike të personaliteteve korçare që morën pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për gjuhën shqipe.
Pjesë e aktivitetit ishin edhe familjarë dhe pasardhës të delegatëve, të cilët sollën dëshmi dhe kujtime të ruajtura ndër breza. Mes tyre, pasardhësit e Mihal Gramenos prezantuan fotografi, libra dhe materiale familjare që hedhin dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e patriotit.
Lirika Biciolli, e afërme e Gramenos, sjell një histori që dëshmon se atdhetaria ishte pjesë e gjithë familjes. Ajo kujton rrëfimet për nënën e Mihal Gramenos, e cila, në kohën e pushtimit osman, rrezikonte veten për të fshehur armët në shtëpi, duke i mbuluar ato me bukë, për të mos u zbuluar gjatë kontrolleve të ushtarëve turq.
“Na tregonte gjyshi për nënën Alinë, që ishte një grua trime dhe shumë patriote. Kur vinin turqit për të kontrolluar shtëpinë, ajo merrte bukët, vendoste sipër armët dhe i mbulonte me velenxë, duke u thënë: Vazhdoni ju kontrollin, se unë do t'i çoj bukët në furrë. Në këtë mënyrë i shpëtonte armët”, tha ajo për mediat.
Por trashëgimia e Mihal Gramenos, sipas familjarëve, nuk lidhet vetëm me kontributin patriotik, por edhe me karakterin njerëzor, mikpritjen dhe dashurinë për atdheun. Për ta, ruajtja e kujtimit të tij është një krenari familjare, ndërsa përkujtimi i figurave të tilla mbetet një mënyrë për të mos shkëputur brezat e rinj nga historia.
“Ndjehemi shumë krenarë që i kemi pasur gjyshin dhe xhaxhallarët. Atdheu është gjëja më e shtrenjtë që duhet të ketë njeriu dhe duhet ta duam, ta mbrojmë dhe ta mbajmë ashtu siç i takon”, vijoi ajo.
Ekspozita synoi të evidentojë rolin e përfaqësuesve të Korçës në përpjekjet për njësimin e alfabetit shqip, si dhe të ruajë kujtesën historike për kontributin e tyre.
Kongresi i Manastirit zhvilloi punimet nga 14 deri më 20 nëntor 1908 dhe shënoi një moment vendimtar në historinë e gjuhës shqipe. Gjatë punimeve u shqyrtuan disa variante të alfabetit, mes tyre ato të shoqërive të Stambollit, “Bashkimi” dhe “Agimi”, duke hedhur bazat për njësimin e shkrimit të gjuhës shqipe. Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















