Kisha që ruajti gjuhën dhe identitetin shqiptar në Amerikë, historia e Shën Gjon Pagëzorit
Kisha e Shën Gjon Pagëzorit në South Boston përfaqëson një nga qendrat e rëndësishme të jetës shpirtërore, kulturore dhe patriotike të emigrantëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përtej funksionit fetar, ajo u shndërrua në një vatër bashkimi, ku shqiptarët ruajtën gjuhën, traditat dhe identitetin kombëtar larg atdheut.
Historia e kësaj kishe nis më 16 dhjetor 1934, kur 85 emigrantë shqiptarë hodhën themelet e bashkësisë. Liturgjia e parë u kremtua më 22 dhjetor të po atij viti nga At Dhosi Katundi, i cili kishte shërbyer më parë edhe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston.
Pas ndarjes nga jeta të At Dhosi Katundit, në vitin 1943, shërbimi fetar vijoi nga klerikë të tjerë, ndër të cilët At Harallamp Dode, At Stavro Shkëmbi dhe Mark Lipa.
Një moment i rëndësishëm në historinë e famullisë ishte pranvera e vitit 1948. Pas dy fushatash për mbledhjen e fondeve, komuniteti arriti të siguronte një godinë në adresën 410 West Broadway, në South Boston. Ndërtesa, e ndërtuar në vitin 1860, u ble për 15 mijë dollarë, duke i dhënë bashkësisë një shtëpi të përhershme për veprimtarinë fetare dhe shoqërore.
Nga viti 1951 deri në pensionimin e tij, më 1980, shërbesat fetare u drejtuan nga At Michael Terova. Më pas, famullia u shërbye nga At M
ichael Sotir dhe, nga dhjetori 1982 deri në vitin 1984, nga kleriku John Mandozzi.
Kisha, qendër e kulturës dhe traditave shqiptare
Kisha u shndërrua shpejt në një qendër të rëndësishme të jetës komunitare shqiptare. Që në vitin 1937 u organizua kori i parë, nën drejtimin e Angelo Sotirit, me vajzën e tij, Louise Sotir Apostol, si organiste. Kori fitoi reputacion në zonën e Bostonit për interpretimin e himnografisë tradicionale ortodokse.
Një rol të veçantë në jetën e famullisë luajti shoqata “Bijat e Shën Gjonit” (The Daughters of St. John), e themeluar në vitin 1944, me Marina Teko Christo si kryetare të parë.
Përveç mbështetjes financiare të kishës, gratë kontribuan në ruajtjen e zakoneve, traditave dhe kulturës shqiptare. Ato organizonin veprimtari dhe takime festive, duke e kthyer kishën në një vatër të ngrohtë bashkimi për emigrantët.
Në vitin 1957, Paul (Toli) Adams projektoi dhe ndërtoi ikonostasin e kishës. Ndërkohë, bodrumi u përshtat në një sallë të madhe aktivitetesh, me kuzhinë të pajisur, ku organizoheshin veprimtari fetare, kulturore dhe shoqërore.
Të dielave, kjo hapësirë shërbente edhe si shkollë, ku fëmijët mësonin jo vetëm besimin ortodoks, por edhe gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare.
Kontributi i brezave të shqiptaro-amerikanëve
Në historinë e kishës spikat kontributi i At Stefan Laskos dhe i shumë shqiptaro-amerikanëve, ndër të cilët Sotir Constantine, Charles Stavro, Charles Cotto, Thimi Vangel, William T. Christo, Alexander Michaels, Alexander Nasson, Angelo Andon, Vasil Tamburi dhe Leo Vasil.
Një tjetër organizim i rëndësishëm ishte shoqata “Bijtë e Shën Gjonit” (The Sons of St. John), e themeluar në vitin 1981, me James G. Christon si kryetar të parë.
Anëtarët e saj zhvillonin rregullisht veprimtari patriotike, fetare dhe shoqërore, duke forcuar lidhjet mes brezave të shqiptarëve dhe duke kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Zjarri i vitit 2013 dhe trashëgimia që vazhdon
Në gusht të vitit 2013, kisha u dëmtua rëndë nga një zjarr aksidental. Megjithatë, kjo ngjarje nuk e shoi trashëgiminë e saj historike dhe shpirtërore.
Tradita fetare, kulturore dhe patriotike e komunitetit shqiptar vazhdon të mbetet një dëshmi e përkushtimit të brezave që punuan për të ruajtur identitetin e tyre larg Shqipërisë.
Kisha e Shën Gjon Pagëzorit nuk ishte thjesht një institucion fetar. Ajo ishte një pjesë e rëndësishme e historisë së emigracionit shqiptar në Amerikë, një dëshmi e përkushtimit për të ruajtur besimin, gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.
Për shqiptarët e Bostonit, ajo përfaqëson një histori bashkimi, sakrifice dhe patriotizmi, që vazhdon të jetojë në kujtesën e komunitetit dhe në trashëgiminë e lënë nga brezat e mëparshëm.
“KORÇA BOOM”
















