Zgjedhjet vendore nisin të trazojnë Pogradecin, një tjetër emër hyn në garë
Arbër Male ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Bashkisë Pogradec, duke bërë publik vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale.
Prej katër vitesh, Male ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak, ku, siç shprehet në deklaratën e tij, ka pasur mundësinë të përfaqësojë shqetësimet dhe interesat e qytetarëve, duke njohur nga afër problematikat dhe nevojat e komunitetit.
Ai thotë se vendimi për të kandiduar vjen pas nxitjes dhe mbështetjes së miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve që e kanë mbështetur gjatë angazhimit të tij politik.
Në deklaratën e kandidaturës, Male thekson se synimi i tij është bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë dhe qytetarëve, me qëllim marrjen e drejtimit të bashkisë.
“Besoj se e ardhmja e Pogradecit ndërtohet përmes dëgjimit, bashkëpunimit dhe përfshirjes së çdo qytetari”, shprehet ai.
Kandidati njofton gjithashtu se do të nisë takimet me qytetarët në lagjet e Pogradecit dhe në njësitë administrative, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të hartuar një program që, sipas tij, t'u përgjigjet nevojave reale të komunitetit.
Shpallja e kandidaturës së Arbër Males shënon një nga lëvizjet e para publike në kuadër të përgatitjeve për garën e ardhshme për drejtimin e Bashkisë Pogradec.
“KORÇA BOOM”
















