Kush do të jetë kandidati i PS-së për Korçën? Dalin emrat e parë, por flitet edhe për një surprizë femër
Efekti i zgjedhjeve vendore ka nisur të ndihet gjithnjë e më shumë, ndërsa Korça pritet të jetë një nga qytetet ku gara për kandidaturat do të tërheqë vëmendje të veçantë.
Edhe pse deri më tani Partia Socialiste nuk ka dhënë sinjale konkrete për emrin që mund të përfaqësojë forcën politike në garën për Bashkinë e Korçës, në prapaskenat politike kanë nisur të përmenden disa kandidatura të mundshme.
Një prej emrave që po lakohet është ai i Petrika Tollkucit, i cili së fundmi po zhvillon një aktivitet të dukshëm publik. Krahas tij, në diskutimet për kandidaturën e mundshme përmendet edhe emri i deputetes Besa Spaho.
Një tjetër mundësi mbetet edhe përzgjedhja e një prej nënkryetarëve aktualë të bashkisë, ndërsa në listën e emrave që përfliten është edhe Nertil Jole, megjithëse aktualisht ai nuk shfaqet shumë aktiv në këtë drejtim.
Por duket se gara mund të rezervojë edhe surpriza. Sipas informacioneve që qarkullojnë, në diskutim mund të jetë edhe një emër femëror, që aktualisht drejton një shoqatë jofitimprurëse.
Identiteti i saj nuk është bërë ende i ditur, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një kandidaturë që po shqyrtohet realisht apo thjesht për një emër që ka nisur të qarkullojë në diskutimet politike.
Për momentin, asnjë prej këtyre emrave nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Partia Socialiste. Megjithatë, lëvizjet dhe diskutimet e para tregojnë se gara për Bashkinë e Korçës ka nisur të marrë formë, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të zbulojë nëse PS do të zgjedhë një emër të njohur në politikë apo do të surprizojë me një kandidaturë jashtë skenës së zakonshme politike.
“KORÇA BOOM”
















