Tragjedi/ 19-vjeçari ndërron jetë në urgjencë
- 8 minutes ago
- 1 min read
Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një të riu shqiptar në Itali gjatë mbrëmjes së të premtes. Ngjarja është regjistruar rreth orës 23:00 dhe ka tronditur komunitetin shqiptar në zonë.
Sipas mediave italiane, viktima është një 19-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Monopoli. I riu ndodhej në sediljen e pasme të një automjeti tip “Mercedes-Benz” në momentin e përplasjes fatale.
Për arsye ende të paqarta, automjeti ku udhëtonte 19-vjeçari është përplasur me një makinë tip “Toyota”, e drejtuar nga një grua. Goditja ka qenë e fortë, duke bërë që të dy automjetet të humbnin kontrollin dhe të përplaseshin edhe me disa makina të parkuara anës rrugës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Shërbimet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe e kanë transportuar të riun drejt spitalit, por fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në urgjencë.
Nga aksidenti janë lënduar lehtë edhe drejtuesja e “Toyota”-s si dhe një tjetër pasagjer që ndodhej në automjetin “Mercedes-Benz”.
Polizia di Stato ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë aksident fatal.
“KORÇA BOOM”













