Transporti publik redukton nga sot flotën deri në 30%, priten vonesa dhe mbingarkesë
- 3 days ago
- 2 min read
Transporti publik urban dhe interurban pritet të operojë nga sot, 1 shtator, me 20 deri në 30% më pak autobusë, pasi operatorët thonë se rritja e kostove dhe çmimi i lartë i karburantit nuk u lejojnë më të mbajnë në qarkullim të gjithë flotën.
Vendimi pritet të prekë drejtpërdrejt qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik. Shoqatat paralajmërojnë se reduktimi i mjeteve do të ulë frekuencën e linjave, do të zgjasë kohën e pritjes në stacione dhe mund të sjellë mbingarkesë të autobusëve, veçanërisht në oraret e pikut.
Operatorët thonë se masa është e detyruar nga gjendja financiare dhe se numri i autobusëve që do të hiqen nga qarkullimi do të ndryshojë në varësi të mundësive të secilit operator.
“Duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion”, thanë shoqatat në deklaratën e tyre.
Shoqatat pranojnë se reduktimi i flotës do të sjellë pasoja në cilësinë dhe frekuencën e shërbimit.
“Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik.
Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm”, thuhet në letrën e tyre.
Kjo do të thotë se qytetarët mund të përballen me intervale më të gjata mes autobusëve, ndërsa mjetet që mbeten në qarkullim pritet të kenë ngarkesë më të madhe.
Përballë kësaj situate, operatorët i janë drejtuar qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për kostot e karburantit.
Në qendër të kërkesave është vijimi i mbështetjes financiare për naftën. Shoqatat kërkojnë zgjatjen e periudhës së përfitimit të kompensimit prej 50 lekësh për litër, duke argumentuar se çmimi aktual i karburantit e ka bërë të vështirë funksionimin normal të linjave.
Shqetësimi nuk është i ri. Prej muajit maj, operatorët e transportit publik kanë paralajmëruar se kostot e operimit po bëhen gjithnjë e më të vështira për t'u përballuar.
Vetëm gjatë gushtit, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas e përsëriti dy herë kërkesën për ndërhyrje, duke paralajmëruar se pa një zgjidhje do të detyrohej të reduktonte numrin e mjeteve në qarkullim.
Nga sot, sipas shoqatave, ky paralajmërim pritet të zbatohet konkretisht me reduktimin e flotës deri në 30%.
Në mungesë të një marrëveshjeje mes institucioneve dhe operatorëve, pasojat pritet t'i ndiejnë kryesisht pasagjerët, me më pak autobusë në linja, pritje më të gjata në stacione dhe ngarkesë më të madhe në mjetet që do të vazhdojnë shërbimin./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















