Tre zyrtarët e AMP-së Korçë dhe Elbasan pa masa sigurie, Apeli ndryshon vendimin
- 1 hour ago
- 1 min read
Gjykata e Apelit Tiranë ka ndryshuar masat e sigurisë ndaj tre zyrtarëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Korçë dhe Elbasan, duke revokuar vendimet e marra më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Bëhet fjalë për Glodian Ahmetajn, Klevis Hoxhën dhe Devis Agon, të cilët ishin proceduar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.
Sipas të dhënave nga procesi gjyqësor, Gjykata e Apelit vendosi heqjen e masave “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, të vendosura më herët ndaj tre ish-zyrtarëve të AMP-së.
Vendimi i Apelit erdhi pasi gjykata vlerësoi materialet e paraqitura në dosje dhe konstatoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për elementët e veprës penale për të cilën ata ishin proceduar, duke vendosur revokimin e masave të sigurisë.
Më herët, Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar masën “Arrest në shtëpi” për tre zyrtarët, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur masa më të lehta. Tashmë, pas vendimit të Apelit, tre personat rezultojnë pa masa sigurie.
Çështja kishte nisur pas hetimeve të zhvilluara fillimisht nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila më pas e referoi dosjen në Prokurorinë e Elbasanit për vijimin e veprimeve hetimore.
Ndërkohë, paralelisht me procedimin penal, ndaj ish-zyrtarit të AMP-së Korçë, Glodian Ahmetaj, ishin ndërmarrë edhe masa administrative lidhur me detyrën e tij, çështje të cilat janë kundërshtuar edhe në rrugë gjyqësore.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit sjell një zhvillim të ri në këtë dosje, ndërsa hetimet dhe procedurat ligjore pritet të vijojnë për zbardhjen e plotë të çështjes.
“KORÇA BOOM”
















