top of page

Të shtëna me armë zjarri, policia parandalon ngjarjen kriminale! Ndalohen 4 persona

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Policia ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes disa të rinjve në qytetin e Sarandë, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim pas të shtënave me armë zjarri në ajër.


Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 12 mars 2026 rreth orës 22:30 në rrugën “Panorama”, në lagjen nr. 1 të qytetit. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi J. L., 19 vjeç, së bashku me një të mitur, pas konflikteve të mëparshme dhe për motive të dobëta me disa të rinj, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër me qëllim kanosjen e tyre.


Falë reagimit të shpejtë dhe veprimeve hetimore të specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, më 13 mars në mbrëmje u bë e mundur kapja dhe ndalimi i katër personave: A. Z., G. A., A. B. dhe D. Z., të gjithë 18 vjeç dhe banues në Sarandë. Ata dyshohet se kanë qenë në dijeni të ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.


Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, shërbimet e policisë sekuestruan 5 gëzhoja në cilësinë e provës materiale, disa aparate celularë si dhe një automjet.


Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar J. L. dhe shtetasin e mitur, ndërsa vijon puna për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandë për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”./ Euronews

“KORÇA BOOM”


bottom of page