top of page

U merrte lekë pacientëve për kryerjen e ekzaminimeve, arrestohet mjeku. I gjenden miliona lekë, euro, pound e dollarë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 14 hours ago
  • 2 min read

Operacioni “Imazheria” finalizohet pas një hetimi 4-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit.


Një mjek imazherist në spitalin rajonal të Fierit është vënë në pranga pas një hetimi disamujor të zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Policisë së Fierit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit. Operacioni policor, i koduar “Imazheria”, u finalizua pas katër muajsh hetimesh, në kuadër të procedimit penal nr. 929, të regjistruar më 1 korrik 2025, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.


Sipas Policisë, shtetasi Gëzim Taullai, 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në spitalin rajonal, u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash nga një pacient, në këmbim të kryerjes së një ekoje abdominale.


Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se mjeku shpërdoronte detyrën edhe duke kryer vizita në dy klinika private të qytetit, gjatë orarit zyrtar të punës në spitalin publik.


Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi si prova materiale shumën prej 1.857.000 lekësh të rinj, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë, së bashku me shumën e parave që i kishte marrë pacientit.


Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.


Fier/Finalizohet pas një hetimi 4-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, operacioni policor i koduar "Imazheria".


I merrte shuma parash pacientëve për të kryer ekot, vihet në pranga mjeku imazherist në spitalin rajonal Fier.


Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve se mjeku imazherist në spitalin e Fierit iu merrte para pacientëve për të kryer ekot, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, organizuan punën në bashkëpunim me Prokurorinë Fier.


Për këtë rast, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëm Fier, ka regjistruar procedimin penal nr.929 datë 01.07.2025, për veprën penale të dyshuar "Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, hetim i cili pas 4 muajësh u finalizua me arrestimin në flagrancë të shtetasit G. T., 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në spitalin rajonal Fier.


Ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash një pacienti që do të kryente ekon abdominale.


Gjithashtu, ky shtetas, shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në 2 klinika private në Fier.


Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma e lekëve që 66-vjeçari i mori qytetarit, në kundërshtim me ligjin si edhe shuma prej 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollar që iu gjetën gjatë kontrollit të banesës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./ NOA

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page