top of page

Vd*kja e Mazonakis, avokati hedh dyshime te dëshmia e 19-vjeçares: Mund të jetë strategji për të mbrojtur prindërit

2 days ago
2 min read

Avokati i familjes së këngëtarit grek Giorgos Mazonakis, Charalambos Lykoudis, ka ngritur dyshime mbi dëshminë e vajzës 19-vjeçare të dy mjekëve të ndaluar në lidhje me çështjen. Sipas tij, deklarimet e së resë mund të synojnë të lehtësojnë pozitën ligjore të prindërve të saj, ndërsa kërkon që pretendimet të verifikohen përmes provave konkrete.


Gjatë një interviste për televizionin grek MEGA, avokati Charalambos Lykoudis komentoi dëshminë që 19-vjeçarja dha para hetuesit më 9 tetor, ku, sipas raportimeve, pretendoi se nëna e saj i kishte kryer dy herë procedurën mjekësore të plazmaferezës.


Lykoudis u shpreh se deklarata të tilla nuk mund të vlerësohen pa u shqyrtuar më parë dokumentacioni përkatës dhe provat që mund t'i mbështesin. Ai hodhi dyshime se dëshmia mund të jetë pjesë e strategjisë mbrojtëse të dy mjekëve, veçanërisht për të zbutur pretendimet për mashtrim ndaj nënës së 19-vjeçares.


“E kuptoj që vajza e tyre është thirrur dhe rekrutuar për të mbrojtur prindërit e saj. Për mua është e kuptueshme dhe njerëzore. Duhet ta dini që Kodi Penal e kupton këtë nevojë që disa të afërm të dëshmojnë, edhe nëse është e rreme, dhe për këtë arsye në këtë rast mund t’i përjashtojë ata nga çdo dënim. Nuk mund t’ju them saktësisht mendimet e mia nëse nuk shoh se çfarë është dëshmuar saktësisht në një dokument”, u shpreh Lykoudis.


Avokati këmbënguli se përmbajtja e dëshmisë duhet të krahasohet me elementet e tjera të dosjes hetimore, për të përcaktuar nëse ajo mbështetet në fakte apo është dhënë për të ndihmuar mbrojtjen e prindërve.


“Nëse informacioni gazetaresk është i vërtetë, duhet të shohim me çfarë provash mbështetet kjo dëshmi. Domethënë, nëse një person thotë ‘Unë e bëra këtë gjë’, si e mbështet ai atë? Dhe le të shohim edhe qëllimin. Natyrisht, qëllimi është specifik, është i dhënë. Ai i shërben strategjisë mbrojtëse të të dy prindërve”, deklaroi avokati.


Sipas Lykoudis, një nga qëllimet e mundshme të deklarimeve të 19-vjeçares është dobësimi i pretendimeve që rëndojnë mbi nënën e saj. Megjithatë, ai theksoi se mbetet për t'u verifikuar nëse dëshmia përputhet me realitetin.


“Ajo dëshiron të dobësohet, të zvogëlojë intensitetin e mashtrimit të nënës së saj. Dua të shoh nëse është e vërtetë apo një konstruksion mbrojtës”, tha ai.


Një tjetër çështje e ngritur nga avokati lidhet me ligjshmërinë e procedurave mjekësore. Ai argumentoi se kryerja e një trajtimi nga një mjek te fëmija i tij nuk përbën automatikisht garanci se procedura është zhvilluar në përputhje me ligjin.


Lykoudis iu referua gjithashtu pretendimeve për mungesën e historikut mjekësor të Giorgos Mazonakis, duke e cilësuar këtë si një prej elementeve që kërkojnë hetim të mëtejshëm.


“Një sërë aktesh kriminale u kryen kundër Giorgos Mazonakis, ndër të cilat ishte se ai nuk arriti të merrte historinë e tij mjekësore. Ja, çfarë duhet kërkuar te vajza e saj, historinë mjekësore e di. Ajo është nëna e saj”, u shpreh Lykoudis.


Ndërkohë, hetimet pritet të vijojnë me administrimin e rezultateve të analizave të kërkuara nga këshilltari teknik i familjes së këngëtarit.


Sipas avokatit, ekzaminimet po realizohen në bashkëpunim me një laborator në Gjermani dhe përfshijnë kontrollin për rreth 1 600 substanca të ndryshme.


Rezultatet pritet të dalin gjatë ditëve në vijim dhe t'i dorëzohen hetuesit, me qëllim sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të çështjes.

“KORÇA BOOM”


bottom of page