top of page

Vetëm 20 minuta zgjati mbledhja në Maliq, debatet për Reformën Territoriale

  • 1 day ago
  • 1 min read

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Maliqit, e zhvilluar paraditen e kësaj të enjteje për Reformën Territoriale, është shoqëruar me tensione dhe debate, ndërsa këshilltarët e majtë kanë braktisur sallën.


Mbledhja, e thirrur nga opozita, nisi rreth orës 10:00 dhe zgjati vetëm rreth 20 minuta. Në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të Këshillit Bashkiak të Maliqit, i cili më pas do t’i përcillej Kuvendit në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale.


Gjatë mbledhjes, grupi i këshilltarëve të majtë deklaroi se nuk do të merrte pjesë në një vendimmarrje lidhur me propozimin që duhet t’i dërgohet Parlamentit.


Pas këtij qëndrimi, kryetari i Këshillit Bashkiak deklaroi mbylljen e mbledhjes. Vendimi shkaktoi reagime nga këshilltarët e opozitës dhe qytetarët e pranishëm në sallë, duke përshkallëzuar tensionet.


Në pamjet e siguruara nga mbledhja, një i moshuar shfaqet i revoltuar pas mbylljes së saj.


Ai i drejtohet një prej të pranishmëve, ndërsa mban në dorë shkopin e tij.


“Kush e mbyll mbledhjen? Ulu atje. Ulu shpejt”, dëgjohet të thotë i moshuari.


Debatet vijnë në një moment kur Reforma Territoriale ka hapur diskutime edhe në nivel vendor, veçanërisht për mënyrën se si do të riorganizohen bashkitë dhe njësitë administrative.


Sipas draftit të propozuar nga socialistët për Reformën Territoriale, Bashkia e Maliqit parashikohet të bashkohet me Bashkinë e Korçës.


Qëndrimi zyrtar i Këshillit Bashkiak të Maliqit pritej të përcillej në Kuvend si pjesë e procesit të konsultimit dhe diskutimit për ndryshimet e propozuara në ndarjen administrativo-territoriale.

“KORÇA BOOM”


bottom of page