top of page

Xhesika jeton përgjithmonë në zemrat tona”: Lamtumira që preku një komunitet të tërë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 14 hours ago
  • 2 min read

Shokët e shkollës dhe miqtë i dhanë lamtumirën Xhesika Kolës, 15-vjeçares me origjinë shqiptare, e cila humbi jetën tragjikisht së bashku me babanë Arti, nënën Jonida dhe vëllanë Hajdar.


Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Porcari, ku një rrjedhje monoksidi karboni shkatërroi brenda pak çastesh familjen Kola, duke tronditur jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe atë italian.


Xhesika ishte nxënëse e klasës së tretë të shkollës së mesme në Camigliano, njësi e Capannorit. Humbja e saj ka lënë një boshllëk të madh mes bashkëmoshatarëve dhe mësuesve. Drejtoresha e institucionit, Gloria Giuliani, i ka dërguar një letër gjithë komunitetit shkollor, ku shpreh “ngushëllimin e thellë” për tragjedinë dhe “afërsinë e sinqertë me familjarët në këtë moment dhimbjeje të madhe”.


Për shkak të tronditjes së rëndë emocionale, nxënësit e shkollës së Camiglianos po mbështeten nga një psikologe e vënë në dispozicion nga vetë shkolla. Mbrëmjen e së enjtes, dhjetëra të rinj, së bashku me prindërit e tyre, u mblodhën për homazhe spontane në kujtim të Xhesikës dhe familjes së saj.


Dhimbja ka prekur edhe një tjetër shkollë të mesme, atë të Porcarit, ku mëson kushëriri i Xhesikës dhe Hajdarit, djali i Durim Kolës, vëllait të Artit. Pikërisht Durimi ishte ai që mbrëmjen e tragjedisë hyri në banesë së bashku me karabinierët, në përpjekje për të shpëtuar familjen.


I shtruar në spital po atë mbrëmje për shkak të thithjes së monoksidit të karbonit, Durim Kola u kthye në shtëpi të enjten. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por thellësisht i tronditur nga ajo që ndodhi. “Nuk arrita t’i shpëtoja”, u ka thënë njerëzve të afërt.


Një familje e tërë u shua në heshtje, ndërsa pas tyre mbeten dhimbja, lotët dhe kujtimi i një vajze 15-vjeçare, e cila për shokët dhe mësuesit e saj do të “jetojë përgjithmonë në zemrat e tyre”.

"KORCA BOOM"


bottom of page