top of page

Yamal dhe Haaland vendosin rekord, bëhen futbollistët më të shtrenjtë në histori

  • 9 hours ago
  • 2 min read

Botërori 2026 nuk nxori në pah vetëm një kampion të ri, por solli edhe një riorganizim të hierarkisë së futbollit botëror. Me përfundimin e turneut, përditësimi i vlerave në tregun e transferimeve ka vendosur në krye dy emra që konsiderohen e ardhmja e këtij sporti: Lamine Yamal dhe Erling Haaland.


Spanjolli dhe norvegjezi vlerësohen me nga 220 milionë euro secili, duke u bërë futbollistët më të shtrenjtë të të gjitha kohërave. Për herë të parë në histori, një lojtar kalon pragun simbolik të 200 milionë eurove në vlerësimin e tregut.


Yamal e arriti këtë vlerësim pas një Botërori të shkëlqyer me Spanjën, që u shpall kampione e botës, ndërsa Haaland konfirmoi edhe një herë statusin e tij si një nga sulmuesit më dominues të futbollit bashkëkohor. Pas tyre renditet Kylian Mbappé. Sulmuesi i Real Madridit, i cili realizoi 10 gola me Francën në Botëror, ruan një vlerë prej 200 milionë eurosh dhe mbetet ndër futbollistët më të kërkuar në tregun europian.


Rritjen më të madhe e ka regjistruar Michael Olise. Anësori i Bayern Munich vendosi rekordin e asistimeve në një Kupë Bote dhe tashmë vlerësohet me 170 milionë euro, duke u ngjitur në vendin e katërt të renditjes. Pesëshja e parë mbyllet nga Jude Bellingham, me një vlerë prej 160 milionë eurosh. Mesfushori anglez vazhdon të konfirmohet si lider i kombëtares së Anglisë dhe një nga lojtarët më të kompletuar të brezit të tij.


Në rritje janë edhe Elliot Anderson dhe Julián Álvarez, të cilët tashmë vlerësohen përkatësisht me 120 dhe 110 milionë euro. Pedri vazhdon të jetë mes futbollistëve më të vlefshëm në botë, ndërsa Vinícius Jr. pozicionohet menjëherë pas tij, me një diferencë prej 10 milionë eurosh.


Nga ana tjetër, dy ikonat e futbollit modern, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, mbeten pjesë e renditjes, por me vlera shumë më të ulëta krahasuar me kulmin e karrierës së tyre. Argjentinasi vlerësohet me 15 milionë euro, ndërsa portugezi me 10 milionë euro, një kontrast i qartë që pasqyron ndryshimin e brezave.


Futbolli botëror po hyn në një epokë të re, ku mosha, talenti dhe potenciali po diktojnë rekordet e reja të tregut dhe po formësojnë brezin e ardhshëm të yjeve./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page