top of page

Zërat për post në qeverinë Rama, Grida Duma reagon: “Nëse hyj në politikë, do të hyj nga porta ime”

  • 1 day ago
  • 2 min read

Prej ditësh, emri i Grida Dumës është kthyer në një nga temat më të diskutuara në skenën politike e mediatike shqiptare, pas zërave se ish-deputetja e së djathtës mund t’i bashkohet qeverisë së Edi Ramës, madje në një post të rëndësishëm.


Përgjatë ditëve të fundit janë hedhur skenarë të ndryshëm, duke i përcaktuar asaj edhe pozicionin, sponsorin apo një të ashtuquajtur “pazar” politik. Përballë këtyre aludimeve, Duma ka vendosur të reagojë publikisht dhe t’i japë fund heshtjes.


“Flini të qetë”, është mesazhi i saj për ata që e kanë përfshirë në skenarët për ndryshime në qeveri. Duma thekson se nuk ka ndërmend t’i marrë vendin askujt dhe se, nëse një ditë do të vendosë të rikthehet në politikë, vendimi do të jetë tërësisht personal.


“Nëse një ditë unë do të kem vendimmarrjen time për të hyrë në politikë, do të hyj nga porta ime, nuk i bie portës së askujt për të hyrë në politikë dhe as nuk i pres këto ftesa-thirrje”, është shprehur ajo.


Duma ka ironizuar edhe mënyrën se si është trajtuar lajmi, duke thënë se prej ditësh i është “caktuar pazari”, i është “gjetur sponsori” dhe madje i është përcaktuar pozicioni politik.


Ajo ka bërë të qartë se nuk e sheh rikthimin në politikë si një çështje posti apo oferte nga të tjerët. Sipas saj, nëse do të rikthehet, kjo do të ndodhë vetëm nëse beson se ka diçka për t’i ofruar Shqipërisë.


“Vendimi im për të hyrë në politikë do të jetë sepse unë kam diçka për t’i kërkuar Shqipërisë, sepse kam diçka për të ofruar në ato çaste Shqipërisë”, tha Duma.

Ish-deputetja ka shprehur gjithashtu shqetësimin se debati politik po përqendrohet te postet dhe emrat, ndërkohë që, sipas saj, qytetarët përballen me probleme shumë më të mëdha.


“Ndërsa këta shqetësohen për vendin e tyre dhe postin e karriges së tyre, shqiptarët kanë një shqetësim madhor”, u shpreh ajo, duke shtuar se ndryshimi nuk mund të vijë vetëm nga një individ.


Në fund, Duma nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për më shumë se një emër të vetëm për të ndryshuar situatën politike dhe se pritshmëritë e qytetarëve kërkojnë një angazhim shumë më të gjerë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page