Çfarë po ndodh brenda radhëve te Policia. Dy pezullime
- 4 hours ago
- 2 min read
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy punonjës policie, pas nisjes së hetimeve disiplinore për shkelje të rënda të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Pezullimi i parë është vendosur ndaj Inspektor A. K., me detyrë Ndihmësspecialist për Operacionet Policore në Seksionin për Operacionet Policore në Komisariatin e Policisë Nr. 5, në Tiranë. Ai akuzohet për shkelje të nenit 121, pika 2, germa “b”, “Përdorimi i statusit të punonjësit të Policisë, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët”, si dhe germa “dh”, “Raste të tjera të sjelljes që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut te Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës”.
Sipas njoftimit, më 24.02.2026, shtetasi A. K., së bashku me dy persona të tjerë, është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe doganore të Kosovë, në fshatin Merdarë, duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara pranë autoriteteve doganore, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni.
Pezullimi i dytë është vendosur ndaj Inspektor K. Gj., me detyrë Trupë Shërbimi Operacionale në Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, për shkelje të nenit 121, pika 1, germa “m”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.
Më 21.02.2026, dyshohet se shtetasi K. Gj. ka goditur një person të shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë në Patos. Sipas pretendimeve, i shoqëruari ishte konfliktuar më herët në një market në Patos me disa persona dhe gjatë përplasjes kishte ofenduar bashkëshorten e efektivit, e cila ishte punonjëse e atij marketi.
Paralelisht me hetimin administrativ të nisur nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijon hetimin penal ndaj dy punonjësve të pezulluar.
"KORCA BOOM"
















