top of page

157 vite nga vepra që ndryshoi botën, Kanali i Suezit dhe rëndësia e tij strategjike!

12 hours ago
2 min read

Më 17 nëntor 1869 u inaugurua zyrtarisht Kanali i Suezit, një nga veprat më të rëndësishme inxhinierike në historinë moderne, e cila ndryshoi përgjithmonë rrugët detare të tregtisë ndërkombëtare.


I ndërtuar në Egjipt, kanali lidh Detin Mesdhe me Detin e Kuq, duke krijuar një kalim të drejtpërdrejtë mes Evropës dhe Azisë. Falë tij, anijet nuk kanë më nevojë të përshkojnë rrugën e gjatë rreth Afrikës, duke kursyer kohë dhe karburant.



Ndërtimi i kësaj vepre gjigante zgjati dhjetë vjet dhe kërkoi gërmimin e rreth 74 milionë metrave kub material. Kostoja përfundimtare arriti në 433 milionë franga, pothuajse dyfishi i parashikimit fillestar.


Në fillim, kanali kishte përmasa shumë më të vogla se sot. Thellësia ishte rreth 8 metra, ndërsa gjerësia në fund arrinte në 22 metra. Me rritjen e trafikut detar, u bë e domosdoshme zgjerimi dhe thellimi i tij. Punimet nisën që në vitin 1876 dhe vazhduan për dekada.


Sot, Kanali i Suezit shtrihet në një gjatësi prej rreth 193 kilometrash, me thellësi maksimale prej 24 metrash dhe gjerësi që varion nga 205 deri në 225 metra. Një tjetër zgjerim i rëndësishëm u realizua në vitin 2015, me ndërtimin e një segmenti të ri paralel prej 35 kilometrash, duke rritur ndjeshëm kapacitetin e kalimit të anijeve.


Megjithatë, rëndësia strategjike e kanalit është vënë sërish në provë vitet e fundit. Që nga fundi i vitit 2023, tensionet dhe kriza e sigurisë në Detin e Kuq kanë detyruar shumë kompani detare të ndryshojnë itineraret dhe të zgjedhin rrugën përreth Afrikës.


Edhe pse trafiku ka nisur të rikuperohet, ai mbetet nën nivelet e periudhës përpara krizës. Më shumë se një shekull e gjysmë pas inaugurimit, Kanali i Suezit vazhdon të jetë një pikë kyçe për ekonominë botërore dhe transportin ndërkombëtar të mallrave.

“KORÇA BOOM”


bottom of page