top of page

23 mijë lekë kg i kumbullave, ekspertja e ekonomisë: Autoriteti i Konkurrencës të zbresë në treg

  • 5 hours ago
  • 1 min read

Rritja e çmimeve të produkteve në tregun shqiptar vijon të shqetësojë konsumatorët, ndërsa raste të veçanta po ngjallin debat të fortë publik.


Një ndër to është edhe çmimi i kumbullave jeshile, që këtë sezon ka arritur deri në 22-23 mijë lekë të vjetra për kilogram, një nivel që po konsiderohet i pajustifikueshëm.


Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi,e ftuar në emisionin A2 CNN, e cilësoi situatën si shqetësuese dhe kërkoi ndërhyrje institucionale. Ajo u shpreh se çmimi është abuziv ndërsa bëri thirrje që Autoriteti i Konkurrencës të hetojë në treg.


“Çështja e çmimit të kumbullës edhe mua më çuditi pasi është produkt vendas. Vetë Autoriteti i Konkurrencës duhet të hetojë në treg. Çmimi është i pajustifikueshëm edhe me nivelin e pagave që ne marrim,” theksoi ajo.


“Unë mendoj që konsumatori nuk do të blejë kumbulla, pasi s’janë produkt që e ka të nevojshme për ta konsumuar. Por konsumatorët shqiptarë edhe produktet që i kanë shumë të rëndësishme për t’i konsumuar, në rastin e këtyre çmimeve nuk do ta blejë,” u shpreh ekspertja.


“Konsumatori shqiptar do ulë nivelin blerës duke ndikuar në kequshqyerje,” përfundoi Radonshiqi./ Oranews

"KORÇA BOOM"



bottom of page