400 milionë lekë për tubacionet, por Zvezda mbetet pa ujë në çezma
- 1 day ago
- 1 min read
Zvezda pa ujë, banorët ngrenë shqetësimin: "Investimi i madh nuk na solli ujin në çezma"
Banorët e fshatit Zvezdë në Maliq kanë ngritur shqetësimin për mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, pavarësisht investimit të kryer për shtrirjen e rrjetit të ri të tubacioneve.
Sipas një banori të zonës, për këtë projekt janë investuar rreth 400 milionë lekë, por edhe pas përfundimit të punimeve, shumë familje vijojnë të përballen me mungesën e ujit në çezmat e tyre.
"U groposën qindra miliona lekë me tubacione, por ne ende nuk kemi ujë", është shprehur banori i indinjuar, duke kërkuar ndërhyrje dhe një zgjidhje nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tij, situata ka krijuar vështirësi të mëdha për banorët, të cilët janë të detyruar të gjejnë forma alternative për sigurimin e ujit të nevojshëm për përdorim të përditshëm.
Banorët kërkojnë që investimi të vihet në funksion të plotë dhe që autoritetet të verifikojnë arsyet pse rrjeti i ri nuk po sjell furnizimin e premtuar.
Ndërkohë, pritet një reagim nga institucionet përkatëse lidhur me problematikën dhe hapat që do të ndërmerren për rikthimin e furnizimit normal me ujë në zonë.
“KORÇA BOOM”
















