top of page

“Çfarë kishin me mua?”/ Bledi Mane tregon përballjen me protestuesit

47 minutes ago
2 min read

Gazetari Bledi Mane ka reaguar një ditë pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së “Revolucionit Flamingo”, ku sipas tij u rrethua dhe u sulmua nga një grup protestuesish pranë Kuvendit.


Në pamjet e publikuara nga momenti i incidentit, disa prej protestuesve dëgjohen duke e fyer gazetarin dhe duke e akuzuar si “servil të Ramës”. Në një moment, Mane u drejtohet atyre me pyetjen: “Me mua çfarë keni?”.


Një ditë pas ngjarjes, gazetari ka dhënë versionin e tij për atë që ndodhi përmes një reagimi në rrjetet sociale. Ai pretendon se incidenti ka ndodhur rreth orës 16:00 të datës 5 tetor, teksa po ecte në rrugën “Abdi Toptani”.


Sipas Manes, fillimisht ai është goditur me një vezë dhe më pas me një gur të vogël në pjesën e pasme të kokës. Gazetari thotë se më pas është ndjekur nga një grup prej rreth 30 personash.


“U detyrova të ndaloj e t’i pyes ‘çfarë kishin me mua personalisht’, por turma e agravuar filloi në kor të shante, të fyente e të kërcënonte në mënyrë të organizuar dhe histerike”, shkruan Mane.


Ai pretendon gjithashtu se mes personave që e rrethuan kishte edhe të mitur dhe se gjatë përballjes disa prej tyre i kërkonin llogari për mënyrën se si ushtron profesionin dhe për qëndrimet që shpreh në televizion apo në rrjetet sociale.


“Turma prej 30 personash, mes të cilëve edhe minorenë, mes sharjeve dhe kërcënimeve më orientonte se si duhet të bëj gazetari dhe çfarë duhet të shkruaj e si duhet të flas në televizor”, shprehet gazetari.


Mane e konsideron incidentin si një sulm të lidhur me aktivitetin e tij profesional dhe qëndrimet e tij publike. Në reagimin e tij ai ngre gjithashtu pretendime për persona që, sipas tij, mund të kenë nxitur ose financuar veprime të tilla, duke përmendur emrat e Arlind Qorit dhe Agron Shehajt.


Për këto akuza të ngritura nga gazetari nuk paraqiten prova në reagimin e publikuar prej tij.

Në fund, Mane falënderon kolegët, organizatat e gazetarëve, Policinë e Shtetit dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri për solidaritetin e treguar pas incidentit.


Ai u ka bërë gjithashtu thirrje gazetarëve që të vijojnë punën e tyre dhe të mos tërhiqen përballë kërcënimeve apo presioneve.


“Natyrisht që asnjë individ e asnjë turmë sado e paguar nuk i ndalon dot kurrë gazetarët në misionin e tyre”, shkruan Mane në reagimin e tij.

“KORÇA BOOM”


bottom of page