top of page

55 barna të reja me rimbursim, hyn në fuqi lista e re në farmacitë dhe spitalet e vendit

  • 3 hours ago
  • 2 min read

Lista e barnave me rimbursim është përditësuar zyrtarisht dhe tashmë ka hyrë në fuqi në të gjitha farmacitë dhe spitalet në vend, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave. Ndryshimet e reja sjellin një zgjerim të ndjeshëm të barnave të përfshira në skemën e rimbursimit, duke u ardhur në ndihmë mijëra pacientëve në të gjithë Shqipërinë.


Në total janë shtuar 55 barna alternativa tregtare të reja, të cilat do të jenë të disponueshme si në farmacitë e hapura, ashtu edhe në ato spitalore. Konkretisht, 35 barna të reja janë përfshirë në rrjetin farmaceutik për qytetarët, ndërsa 20 barna të tjera janë shtuar në spitalet publike për trajtimin e pacientëve të shtruar.


Sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, një pjesë e konsiderueshme e barnave të reja përmbajnë principe aktive që nuk kanë qenë më parë në tregun farmaceutik shqiptar. Bëhet fjalë për 27 barna të reja me principe aktive të panjohura më herët në vend, çka konsiderohet një hap i rëndësishëm në përmirësimin e trajtimeve mjekësore.


Lista e përditësuar përfshin gjithsej 35 principe aktive, ku 27 janë barna të reja dhe 8 të tjera barna ekzistuese të përmirësuara. Barnat e shtuara lidhen kryesisht me trajtimin e sëmundjeve më të përhapura dhe problematikave me ndikim të lartë në shëndetin e qytetarëve.


Një vend të rëndësishëm në listën e re zënë barnat për trajtimin e sëmundjeve onkologjike dhe atyre kardiake. Sipas autoriteteve shëndetësore, një pjesë e mirë e tyre janë barna inovative, të cilat përdoren edhe në vendet e Bashkimit Europian dhe konsiderohen të rëndësishme për trajtime më moderne dhe më efektive.


Aktualisht, lista e barnave me rimbursim në Shqipëri përmban në total 1,356 barna alternativa tregtare, duke zgjeruar mundësitë e trajtimit dhe lehtësuar kostot për pacientët në shumë kategori sëmundjesh.

"KORÇA BOOM"


bottom of page