88 vite jetë për Mjeshtren e Madhe të serenatës korçare, Spanja Pipa
- Korca Boom
- 5 days ago
- 1 min read
Edhe sot e kësaj dite, ajo vazhdon të mbajë gjallë serenatën korçare me zërin e saj të mrekullueshëm dhe të veçantë, duke qenë një nga figurat më përfaqësuese të këtij zhanri muzikor kaq të dashur për qytetin e Korçës.
Rrugëtimi i saj artistik nisi në vitet ’60, që në moshë të vogël, për t’u shndërruar më pas në serenatisten më të njohur korçare dhe të vetmen femër që ka lënë gjurmë të thella në këtë zhanër tradicional. Brezi i atyre viteve e njeh dhe e vlerëson Spanjën, ndërsa për fat të keq, rinia e sotme nuk e njeh sa duhet kontributin e saj të jashtëzakonshëm.
Si shumë fëmijë të asaj kohe, Spanja kalonte shpesh kohë pranë vendit të punës së babait të saj, aty ku edhe nisi dashuria e saj për këngën. Zëri i saj i veçantë tërhoqi vëmendjen e Pavllo Shollës, i cili e përfshiu në kor, ku interpretoi edhe një këngë kineze, duke shënuar kështu hapat e parë seriozë në muzikë.
Pas përfundimit të arsimit 8-vjeçar, krahas punës që ishte detyrim në atë periudhë, Spanja nuk reshti së kënduari. Ajo u bë pjesë e Estradës së Ushtarit dhe më pas e estradës profesioniste, që përfaqëson edhe kulmin e karrierës së saj artistike.
Spanja Pipa ka dëshmuar ndër vite se është një femër e fortë, me vlera të rralla njerëzore dhe artistike. Ajo është vërtet, ashtu siç e meriton titulli i dhënë, Mjeshtre e Madhe e Serenatës Korçare dhe një shembull frymëzues se si një vajzë e vogël, me pasion, punë dhe sakrificë, mund të lërë gjurmë të pashlyeshme në historinë kulturore të qytetit të Korçës.
U shekullofsh, artistja jonë!
"KORCA BOOM"



















