top of page

A do të rikthehet në garë për kryeqytetin? Berisha, kandidatura që mund të trazojë ujërat politike në zgjedhjet lokale

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Sep 30
  • 2 min read

Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula ka propozuar Sali Berishën si kandidatin ideal të opozitës për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Sipas Sulës, Berisha është figura që mund të përballojë kandidaturën e Ogerta Manastirliut dhe të sigurojë një fitore për opozitën në kryeqytet.


Sula argumenton se Berisha ka marrë më shumë vota se çdo figurë tjetër e së djathtës në zgjedhjet e fundit, si dhe është personi që mund të bashkojë strukturat e Partisë Demokratike dhe të ringjallë shpresën te demokratët për zgjedhjet e ardhshme.

Ai thekson se nëse Berisha kandidon, do të jetë një mundësi reale për opozitën për të sfiduar seriozisht Partinë Socialiste dhe për të rikthyer besimin e votuesve.


“Berisha mund të ishte dhe duhet të jetë kandidati që përfaqëson opozitën për të mundur Manastirliun. Nëse ka ndërmend të përballet me PS dhe Edi Ramën, atëherë kjo është rruga. Ai është një figurë përbashkuese, me një histori që ngjall shpresë dhe që mund të sjellë fitoren në Tiranë”, u shpreh Sula për A2.


Sipas tij, ndryshe nga kandidatët e mëparshëm demokratë që kishin përballë Edi Ramën, këtë herë është Ogerta Manastirliu, dhe kjo e bën garën më të favorshme për opozitën.

I pyetur për qëndrimin e Agron Shehajt, i cili është shprehur se kandidati duhet të jetë jopolitik, Sula tha se shumica e demokratëve do të mbështesin Berishën dhe se kjo është mënyra e vetme për të çliruar partinë nga depresioni dhe pasiguria aktuale.


“Berisha është njeriu i duhur për të fituar Bashkinë e Tiranës. Ka mbështetjen e bazës, ka historinë, dhe është figura që mund të sjellë një fitore të madhe për opozitën dhe një fillim të ri për zgjedhjet e 2027-s dhe 2029-s”, përfundoi Sula.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page