top of page

Administrata drejt një sistemi të ri, Rama dhe Pirdeni prezantojnë “Shkallën e Meritës”

4 days ago
2 min read

Pas “Besa” dhe “Flamingos”, vjen “Shkalla e Meritës”! Qeveria prezanton reformën e re në administratën publike


Një tjetër reformë pritet të ndryshojë mënyrën e funksionimit të administratës publike në Shqipëri. E pagëzuar me emrin “Shkalla e Meritës”, nisma u prezantua nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Ardea Pirdeni, në prani të kryeministrit Edi Rama.


Reforma synon të krijojë një administratë më profesionale, ku avancimi në karrierë të bazohet te merita, aftësitë dhe rezultatet në punë. Sipas ministres Pirdeni, sistemi aktual nuk arrin gjithmonë të bëjë dallimin mes punonjësve me performancë të lartë dhe atyre që nuk përmbushin të njëjtat standarde.


Ajo theksoi se merita duhet të jetë baza e zhvillimit profesional dhe e ngritjes në detyrë, ndërsa reforma do të mbështetet në ndryshime strukturore dhe në përdorimin e teknologjisë për përmirësimin e proceseve të administratës.


Një nga elementet e parashikuara është testimi i kandidatëve që synojnë të punësohen në administratën publike. Pas përfundimit të testimit, kandidatët do të pajisen me një certifikatë me vlefshmëri katërvjeçare.


Gjithashtu, performanca e punonjësve do të vlerësohet çdo gjashtë muaj, ndërsa në fazën pilot parashikohet përfshirja e rreth 300 drejtuesve të administratës publike.


Nisma përfshin edhe krijimin e një katalogu kombëtar të pozicioneve dhe kompetencave, si dhe të një regjistri kombëtar të talenteve. Institucionet publike do të kenë detyrimin të publikojnë vendet vakante, me synimin për të rritur transparencën dhe mundësitë për konkurrim.


Gjatë prezantimit, Pirdeni nënvizoi se problemet e sistemit nuk duhet të shërbejnë si justifikim për mungesat në drejtim.


“Mangësitë e sistemit nuk mund të shërbejnë si alibi për mungesat në drejtim”, u shpreh ministrja.


Kryeministri Edi Rama e cilësoi nismën një “surprizë të mirëpritur”, duke theksuar se karriera në shërbimin publik duhet të mbështetet te të dhënat dhe rezultatet, e jo vetëm te marrëdhënia e punonjësit me eprorin e tij.


Sipas Ramës, mundësia për të fituar pikë përmes testimeve dhe vlerësimeve duhet të merret në konsideratë, por zbatimi i reformës kërkon kujdes. Ai veçoi veçanërisht nevojën që të mos ndërpritet në mënyrë të menjëhershme punësimi i të diplomuarve me rezultate të larta, të cilët kanë hyrë në administratë përmes programeve të ekselencës.


Reforma “Shkalla e Meritës” synon të vendosë kritere më të qarta për rekrutimin, vlerësimin dhe avancimin e punonjësve të administratës publike, në një kohë kur profesionalizimi i institucioneve konsiderohet i rëndësishëm edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“KORÇA BOOM”


bottom of page