Aktuale/ Kur rafti thotë një çmim dhe kasa një tjetër, kush mbron konsumatorin?
- Dec 6, 2025
- 1 min read
Sa të mbrojtur janë konsumatorët në përditshmërinë tonë? Pyetja lind natyrshëm kur përballesh me situata që në pamje të parë duken të thjeshta, por që në thelb tregojnë mungesë serioze kontrolli dhe transparence.
Para një jave, shkova në një supermarket për të blerë disa ëmbëlsira. Në raft, çmimi ishte i qartë: 800 lekë. Por sapo mbërrita te kasa, ekrani tregoi 900 lekë, pra 100 lekë më shumë. Fillimisht mendova se ishte një gabim i thjeshtë. Prisja që, pasi ta vija në dukje, dikush të merrte masa: ose të korrigjohej çmimi në kasë, ose të ndryshohej ai në raft. Një nga punonjëset më tha se mund ta merrja me çmimin e ekspozuar, por unë vendosa të paguaja çmimin në faturë dhe ta fotografoja për dokumentim.
Mendova se zhurma që bëra do të shërbente si sinjal për korrektësi. Megjithatë, kur u ktheva pas disa ditësh, u përballa me të njëjtën situatë: rafti 800 lekë, kasa 900 lekë. Asgjë nuk kishte ndryshuar.
Dhe këtu lind pyetja kryesore: si ta quajmë këtë? Gabim? Pakujdesi? Apo një praktikë që përfiton nga pakujdesia e konsumatorëve? Në çdo rast, fakti që mospërputhja vazhdoi për ditë të tëra është shqetësues.
Kjo histori e vogël nxjerr në pah një problem të madh: sa shpesh kontrollohen çmimet, sa seriozisht merret mbrojtja e konsumatorit dhe sa lehtësisht mund të manipulohet një blerje e zakonshme.
Ndoshta është koha që ne, konsumatorët, të jemi më të zëshëm. Por edhe koha që institucionet përkatëse të mos presin zhurmë që të reagojnë. Sepse, në një treg të drejtë, çmimi nuk duhet të jetë befasi, as në raft, as në kasë.
"KORCA BOOM"
















