Alarm në Greqi! Virusi i Nilit përhapet me shpejtësi, 6 viktima dhe dhjetëra të shtruar në spital
top of page

Alarm në Greqi! Virusi i Nilit përhapet me shpejtësi, 6 viktima dhe dhjetëra të shtruar në spital

  • 6 hours ago
  • 1 min read

Greqia po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor. Organizata Kombëtare për Shëndetin Publik (EODY) ka raportuar 23 raste të reja gjatë javës së fundit, duke e çuar në 65 numrin total të rasteve vendase të konfirmuara që nga fillimi i periudhës së mbikëqyrjes deri më 5 gusht.


Sipas të dhënave zyrtare, 54 pacientë kanë zhvilluar forma të rënda të sëmundjes, me komplikacione që prekin Sistemin Nervor Qendror, përfshirë encefalitin, meningjitin dhe paralizën akute flacide. Ndërkohë, 11 persona kanë shfaqur simptoma të lehta ose nuk kanë pasur komplikacione neurologjike.


Bilanci i viktimave ka arritur në gjashtë. Sipas EODY, të gjithë personat që humbën jetën ishin mbi 65 vjeç dhe kishin komplikacione neurologjike të lidhura me infeksionin.


Aktualisht, 20 pacientë po marrin trajtim në spitale, ndërsa disa prej tyre ndodhen në njësitë e kujdesit intensiv për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.


Rastet janë identifikuar në 25 bashki të vendit, të shpërndara në dhjetë njësi rajonale të Atikës, Thesalisë dhe Maqedonisë Qendrore. Mes zonave të prekura janë Atika Lindore, Athina Veriore, Qendrore dhe Jugore, Atika Perëndimore, si edhe Karditsa, Larisa, Trikala, Pella dhe Serres.


Autoritetet shëndetësore greke paralajmërojnë se qarkullimi i virusit pritet të vijojë edhe gjatë javëve në vazhdim, me mundësi për shfaqjen e rasteve të reja si në zonat tashmë të prekura, ashtu edhe në rajone të tjera të vendit. Sipas EODY, këtë vit përhapja e virusit është veçanërisht intensive në rajonin e Atikës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page