Alarm në Greqi, virusi i rrezikshëm izolon Kosturin dhe zonat përreth
- 19 minutes ago
- 1 min read
Lija e deleve dhe dhive ka vënë në alarm autoritetet greke, të cilat kanë vendosur në karantinë qytetin e Kosturit dhe fshatrat përreth, pas konfirmimit të një vatre të sëmundjes në një fermë pranë Argos Orestikos.
Për të frenuar përhapjen e virusit, shërbimet veterinare kanë marrë masa të rrepta. Është ndaluar shitblerja dhe transporti i kafshëve të gjalla në të gjithë rajonin, ndërsa në zonat e përcaktuara nuk lejohet as kullotja. Therja e kafshëve mund të kryhet vetëm në thertoren më të afërt dhe me autorizimin e autoriteteve veterinare.
Rreth fermës ku u konfirmua vatra është krijuar një zonë mbrojtjeje me rreze pesë kilometra dhe një zonë mbikëqyrjeje prej 20 kilometrash, ndërsa kontrollet në terren janë shtuar ndjeshëm.
Sipas specialistëve, lija e deleve dhe dhive është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek vetëm këto kafshë. Ajo shoqërohet me temperaturë, dobësi, humbje të oreksit dhe shfaqjen e plagëve ose puçrrave në lëkurë. Në raste më të rënda, virusi mund të prekë mushkëritë dhe të shkaktojë ngordhjen e kafshëve.
Përhapja e sëmundjes ndodh kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, por edhe nëpërmjet automjeteve, pajisjeve, veshjeve apo ambienteve të kontaminuara. Virusi mund të mbijetojë për muaj të tërë në lesh dhe në stalla të papastruara, duke e bërë kontrollin e tij të vështirë.
Autoritetet greke kanë theksuar se kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk ka lidhje me linë që prek njeriun. Po ashtu, mishi dhe qumështi që kalojnë kontrollet zyrtare veterinare konsiderohen të sigurta për konsum.
“KORÇA BOOM”
















