Alarm në Korçë, kërkohet ndërhyrje urgjente për fëmijët me aftësi ndryshe dhe të moshuarit
Në takimin e parë të organit këshillues të prefektit të qarkut të Korçës, shqetësimi kryesor ishte mungesa e shërbimeve të specializuara sociale.
Kryetarët e bashkive të Pogradecit dhe Kolonjës kërkuan ngritjen e qendrave për fëmijët me autizëm, sindromën Down, personat me aftësi të kufizuara dhe ata me probleme të shëndetit mendor.
Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, kërkoi krijimin e një rezidence në rang qarku për të moshuarit dhe personat në nevojë, duke theksuar se nevojiten struktura të mirëfillta dhe jo zgjidhje të përkohshme.
Prefektja e Korçës, Florinda Zegullaj, bëri të ditur se bashkitë kanë propozuar krijimin e një strukture të përbashkët për shërbimet sociale dhe investime për rikualifikimin e godinave ekzistuese.
Drejtuesit vendorë kërkojnë ndërhyrje konkrete, pasi mungesa e qendrave të specializuara po rrit nevojën për mbështetje ndaj kategorive më vulnerabël në qarkun e Korçës.
“KORÇA BOOM”
















