TRONDITËSE/ 120 fëmijë humbin çdo vit në Shqipëri, 11 ende të zhdukur pa gjurmë
- May 25
- 2 min read
Rreth 120 fëmijë raportohen të humbur çdo vit në Shqipëri, ndërsa 11 prej tyre vijojnë të jenë ende të pagjetur prej vitesh. Alarmi është ngritur nga Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur ALO 116 000 dhe Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri ALO 116 111, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur.
Sipas të dhënave të përpunuara nga raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit për periudhën 2020–2024, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 576 raste të fëmijëve të humbur ose të larguar nga banesa. Vetëm gjatë vitit 2020 janë raportuar 127 raste, në vitin 2021 janë regjistruar 133 raste, në vitin 2022 janë raportuar 98 raste, gjatë vitit 2023 janë evidentuar 128 raste, ndërsa në vitin 2024 janë raportuar 90 raste.
Ndërkohë, 11 fëmijë vijojnë të mbeten ende të pagjetur, duke lënë familjet e tyre në pritje dhe ankth prej shumë vitesh. Mes emrave të raportuar janë Bleona Mata, Azize Mirlak, Jasmina Jasharaj, Jonuz Luga, Julian Cela, Juliana Hoxha, Mateo Bejaj, Mitat Ibrahimi, Ndue Nikolla, Violeta Nikolla dhe Xhevair Gezdari.
Në deklaratën për mediat, ALO 116 000 dhe ALO 116 111 kërkojnë që çdo rast i raportuar i një fëmije të humbur të trajtohet me prioritet maksimal dhe me reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
“Çdo rast i raportuar i një fëmije të humbur duhet trajtuar me prioritet maksimal përmes bashkëpunimit të menjëhershëm mes Policisë së Shtetit, strukturave të mbrojtjes së fëmijëve, shkollave, shërbimeve sociale dhe komunitetit”, thuhet në deklaratë.
Organizatat kanë ngritur shqetësim edhe për numrin e lartë të fëmijëve të identifikuar në situata shfrytëzimi ekonomik dhe abuzimi. Sipas të dhënave të publikuara, vetëm gjatë periudhës 2021 – prill 2026 janë raportuar 1,431 raste të fëmijëve të shfrytëzuar, ndërsa numri total i fëmijëve të përfshirë arrin në të paktën 1,680.
Nga këta, 701 janë djem, 612 vajza, ndërsa për 367 raste nuk ka pasur identifikim të qartë të gjinisë. Sipas ALO 116 000 dhe ALO 116 111, këto shifra tregojnë se shumë fëmijë në Shqipëri vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj trafikimit, shfrytëzimit seksual, manipulimit, dhunës dhe formave të tjera të abuzimit.
“Fëmijët që jetojnë apo punojnë në rrugë mbeten ndër kategoritë më të pambrojtura dhe kërkojnë identifikim të hershëm, mbrojtje efektive dhe ndërhyrje të koordinuar institucionale”, thuhet më tej në deklaratë.
Në apelin e tyre publik, organizatat kërkojnë gjithashtu forcimin e mekanizmave të reagimit të shpejtë dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për rastet e fëmijëve të humbur dhe të rrezikuar.
“Humbja e një fëmije nuk është vetëm një tragjedi familjare, por një përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe institucionale. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i sigurt, i mbrojtur dhe pranë familjes së tij”, përfundon deklarata.
Sipas Missing Children Europe, më shumë se 250 mijë fëmijë raportohen të humbur çdo vit në Europë, duke e bërë mbrojtjen e fëmijëve dhe reagimin e shpejtë institucional një prioritet për çdo shtet.
"KORÇA BOOM"
















